50-vjeçari Mark Ndreca nga fshati Gallatë i Kurbinit ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi është qëlluar me pistolë nga bashkëfshatari i tij Tom Lala.

Ngjarja ka ndodhur rreth ores 15 të së shtunës. Policia thotë se shkak për konfliktin është bërë një konflikt I hershëm pronësie mes dy familjeve.

“Molla e sherrit” të vazhdueshëm është bërë rruga që çonte drejt Hidrocentralit të ndërtuar në Vinjoll të Kurbinit prej Mark Ndrecës.

Të dyja palët kishin ngritur pretendime për pronësinë e tokës ku kalonte rruga.

Debati i nisur prej kohesh ka për protagonist viktimën dhe djalin e autorit të vrasjes, por së fundmi kishte përfshire edhe 69 vjeçarin. Sipas familjarëve të viktimës, këtij të fundit i është bërë presion që të hiqte dorë nga kërkesa e tij për pronësinë e tokës madje duke shtuar se edhe ishte kërcënuar me jetë.

Viktima kishte bërë edhe një  denoncim në polici vetëm pak ditë më parë.

Konflikti ka degjeneruar të shtunën ku Tom Lala i cili mbante armë me vete është përballur me viktimën Mark Ndreca. Pasi kanë debatuar , në zënkë e sipër i moshuari ka qëlluar për vdekje 50  – vjeçarin.

Policia ende nuk e ka kapur autorin megjithëse ka ngritur disa postblloqe për ndalimin e tij.

Ditë më parë hidrocentralit në pronësi të viktimës iu vu tritol. Ende nuk dihet nëse vrasja e sotme ka lidhje me vendosjen e eksplozivit.

Tv Klan