U qëllua me plumb në zemër teksa patrullonte për kanabis

Ky është Saimir Hoxha, efektivi i policisë që u vra me armë zjarri në krye të detyrës, në Ishull-Lezhë mëngjesin e së martës. 44-vjeçari, me detyrë oficer i Krimeve në Policinë e Lezhës, po patrullonte me kolegët e tij në zonën e Kune  Vainit për kultivim kanabisi, kur u qëllua nga Aldi Rama, ky 21-vjeçar që shihni në këtë foto, i dënuar për posedim të lëndëve narkotike në vitin 2021 dhe mbajtje të armëve të ftohta në 2020. Tani po vuante dënimin me shërbim prove.

Grupi i përbërë nga 5 efektivë pikasën një makinë të dyshimtë orës 10:30, të cilën e ndaluan për kontroll. Sapo 2 prej efektivëve u afruan, nga automjeti pati të shtëna me armë dhe 1 nga plumbat e goditi në zemër policin Hoxha. Ai ndërroi jetë teksa transportohej për në spitalin e Lezhës.

Sapo e ka qëlluar, autori u largua me makinën e tij nga vendi i ngjarjes, një autoveturë tip Volksvagen, të cilën e braktisi atë rreth 1 kilometër prej aty.

Forcat speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Policia e Lezhës e lokalizuan jo shumë larg vendit të ngjarjes, në lagunën e Kune Vainit.

I bënë thirrje disa herë të dorëzohet, por 21-vjeçari refuzoi dhe qëlloi dy herë me kallashnikov në drejtim të helikopterit të policisë që po monitoronte zonën.

Policia po përdor edhe një dron, në mënyrë që forcat speciale të lokalizojnë me saktësi vendin ku ndodhet i shumëkërkuari.

Perimetri po ngushtohet dhe thirrjeve që i riu të dorëzohet u janë bashkuar edhe familjarët e tij, por pa sukses.

Teksa operacioni vijon, policia ka rindërtuar gjithë skemën e ngjarjes, bazuar në dëshmitë e 4 kolegëve të viktimës. Saimir Hoxha ka qenë i pari që i është afruar makinës së Aldi Ramës, nën dyshimin se ajo kishte targa të vjedhura.

Në të dyshohet se ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Vrasësi, që ndodhej në anën e pasagjerit, e ka qëlluar sapo polici 44-vjeçar i është afruar dhe është larguar me shpejtësi duke mos u lënë kohë të tjerëve të reagojnë. Është e paqartë se përse i riu ndodhej i armatosur në zonë, ndërsa dyshohet se ai mund të ishte i angazhuar në ruajtjen e parcelave të mundshme të kanabisit.

Saimir Hoxha punonte prej vitesh në Policinë e Lezhës. Ai ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte shërbyer në disa sektorë dhe së fundi ishte pjesë e një grupi kundër kultivimit të kanabisit.

Tv Klan