Vritet një nga udhëheqësit e opozitës ruse




Vritet një nga udhëheqësit e opozitës ruse

09:11 28/02/2015 mr-nemtsov

Vrasja e opozitarit rus Boris Njemcov ishte një akt i mirë planifikuar, thonë hetuesit në Moskë.

Kreu i komisionit që po merret me hetimin e vrasjes, Vladimir Markin, tha për gazetarët se organizatorët e dinin mirë itinerarin e 55-vjeçarit, i cili shoqërohej nga një ukrainase.

Në zonën pranë vendit të krimit, ai kishte edhe një apartament. Njemcov u qëllua me 4 plumba në afërsi të Kremlinit, buzë lumit Moskva, nga një person ende të paidentifikuar, i cili u largua me shpejtësi me një automjet nga vendi i ngjarjes.

I njohur si një prej kritikëve më të ashpër të Presidentit rus, ai kishte planifikuar një protestë kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, për të cilin bënte përgjegjës Vladimir Putinin. Në një intervistë të datës 10 Shkurt për revistën ruse Sobesednik, ai shprehej se për këtë fakt kishte frikë se Putin do e vriste.

Por Presidenti Putin hodhi poshtë zërat për përfshirjen e tij në vrasje. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, ai e konsideroi Njemecovin si një njeri të ndershëm dhe premtoi vënien me çdo kusht përpara drejtësisë të autorëve të Krimit. Kremlini e konsideron vrasjen një përpjekje për destabilizimin e Rusisë.

Presidenti amerikan Barak Obama, në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë e konsideroi “një vrasje brutale” dhe kërkoi nga qeveria ruse, hetime transparente dhe të ndershme.

Njemcov është themelues i lëvizjen anti-Putiniste “Solidariteti". Gjatë presidencës së Boris Jelcin, ai ka qenë Zv/Kryeministër në vitet ’97-’98 dhe shquhej për reformat me orientim perëndimor të tregut të lirë.

Tv Klan




Të ngjashme