Policia arreston tre nga autorët, dy në kërkim

Ky është Ritvan Ramazani, i njohur ndryshe edhe si ‘i forti i Shkodrës’, i cili mbeti i vrarë mesditën e së shtunës pranë një karburanti në një rrugë dytësore në Dajç. Ndërsa kjo është makina e tij, vetëm pak momente pas atentatit, ku gjurmët e plumbave tregojnë se është qëlluar me breshëri automatiku.

Më shumë se 20 gëzhoja u gjeten afër fuoristradës tip BMW, në krahun e drejtuesit, aty ku qëndronte 46-vjeçari Ritvan Ramazani, i njohur edhe me mbiemrin Hyseni.

Disa orë pas ngjarjes, policia bëri të ditur se kishte identifikuar dhe arrestuar tre prej autorëve të dyshuar, njëri si pjesëmarrës në vrasje, ndërsa dy të tjerë për moskallëzim krimi, ndërkohë që ka shpallur në kërkim edhe dy të tjerë. Sipas policisë, dy nga autorët e dyshuar si pjesëmarrës në vrasje janë vëllezërit Duel Mehmedaj dhe Hydajet Mehmedaj.

Policia ka zbardhur gjithashtu edhe motivet e kësaj ngjarje dhe sipas saj autorët e dyshuar ishin konfliktuar gjatë paradites të së shtunës me djalin e Ramazanit. Më pas ky i fundit ka ndërhyrë për të sqaruar situatën, por ka mbetur i vrarë me armë zjarri.

Ritvan Ramazani është një emër i njohur në Shkodër dhe në veri të vendit, pasi cilësohej si i pari i fisit të Ramazanëve, ndërsa në vitin 2008, atij kanë vrarë një vëlla, Enverin.

Tv Klan