Arrestohet një 23-vjeçar: U vetëmbrojta

Këto janë momentet e të shtënave me armë zjarri që i mori jetën një të riu shqiptar dhe lanë të plagosur 3 të tjerë, mbrëmjen e të shtunës në Frosinone të Italisë.

Përplasja mes dy grupeve të përbërë nga shqiptarë, nisi në ambientet e këtij restoranti në orën 19:30, në një kohë kur ai ishte i mbushur me njerëz siç duket edhe në pamjet e publikuara nga mediat italiane.

Referuar këtyre të fundit, viktima është Kasem Kasmi, 27 vjeç.

Së bashku me 3 të tjerët, që mbetën të plagosur ata kanë mbërritur në vendin e ngjarjes me një makinë tip Lancia Ypsilon të marrë me qira.

Ata kanë nisur të debatojnë me një grup rreth 5 personash, edhe këta shqiptarë të ulur në restorant.

Debati ka precipituar shpejt dhe më pas njëri nga personat që ndodhej në tavolinë ka nxjerrë pistoletën.

27-vjeçari ka marrë një plumb në qafë duke humbur jetën në vend. 3 personat e tjerë kanë tentuar të shmangen, por dy u plagosën në këmbë ndërsa i treti është në gjendje të rëndë pasi ka marrë një plumb në bark.

Policia italiane njoftoi se ka vënë menjëherë në pranga të riun që qëlloi me armë. Ai është identifikuar Mikea Zaka, 23 vjeç, ky që shihni në foto. Tre shqiptarë të tjerë janë shpallur në kërkim.

I arrestuari ka deklaruar në prani të avokatit se qëlloi për vetëmbrojtje dhe se arma nuk ishte e tij pasi e ka marrë në tavolinë, version që policia nuk e beson, por është duke e hetuar.

Ai u ka thënë hetuesve se armën e ka hedhur në një lumë aty pranë pas ngjarjes.

I riu i arrestuar ka deklaruar se shkak për sherrin është bërë një vajzë, por hetuesit dyshojnë se përplasja mes dy grupeve të shqiptarëve ka si motiv trafiqet e paligjshme të drogës dhe prostitucionit dhe luftën për territore.

Tv Klan