Një shqiptar ka humbur tragjikisht jetën në Greqi, pasi dyshohet se u dhunua nga grabitësit. Viktima është një 51-vjeçar, i cilin ishte punonjës sigurie për një kompani transporti në Athinë.

Duke iu referuar dëshmisë së vajzës së tij në polici, mediat greke shkruajnë se ai e kishte telefonuar të bijën rreth orës 02:40 të natës, duke i thënë se kishte rënë pre e grabitësve.

Vajza e 51-vjeçarit ishte e para që shkoi në vendin e ngjarjes. Ajo mësohet se e gjeti të atin të dhunuar dhe të lidhur. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik nga mediat fqinje, u transportua me urgjencë në spital, ku dhe humbi jetën pak kohë më vonë.

Shkaqet e vdekjes së 51-vjeçarit pritet që të qartësohen nga ekspertiza mjeko-ligjore. Ndërkohë autoritetet policore kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë./tvklan.al