Ndërroi jetë nga maska që iu vu në kokë

Teksa në Shtetet e Bashkuara vijojnë protestat e dhunshme dhe trazirat për rastet e vrasjeve të afro-amerikanëve nga policia, një tjetër video trondit opinionin publik.

Ky xhirim është i rastit të ndalimit të 41-vjeçarit me ngjyrë Daniel Prude, i cili vuante nga çrregullime mendore dhe ecte lakuriq rrugëve të Roçesterit në shtetin federal të Nju Jorkut.

Dyshohet se ai ka ndërruar jetë në vendngjarje nga asfiksia dhe infarkti, pasi policia i vuri një maskë kundër përshtymës dhe kafshimeve.

Në disa momente duket që efektivët i ushtrojnë presion prapa qafe me krahë. Ngjarja ka ndodhur në Mars, 2 muaj para vrasjes së George Floyd, që shkaktuan revolta masive.

Familjarët thanë se Prude vuante nga krizat e panikut, të cilat mund t’i kenë shkaktuar infarkt dhe marrje fryme pas vendosjes së maskës që rezultuan fatale për të.

Por policët thanë se maskën ia vunë pasi ai pështynte vazhdimisht dhe u kishte thënë se ishte i infektuar me koronavirus. Ndaj policisë janë hedhur sërish akuza për përdorim të tepruar force pasi 41-vjeçari duket qartë që nuk ka bërë asnjë rezistencë gjatë ndalimit.

Tv Klan