Një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të hëne në Lushnje, ndërsa 5 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, rreth orës 22:00 dhe objektiv dyshohet se ka qenë pronari i bar Pedonales, që ndodhet në qendër të këtij qyteti.

Viktima është pikërisht pronari i lokalit, Bledar Muça, rreth të 40-tave, ndërsa sa i përket të plagosurve ata janë Judin Velo, 32 vjeç, Ervis Tafa, Sara Liçi, 24 vjeçe, Majlinda Gjyla, 66 vjeçe dhe Sara Cauli, 26 vjeçe.

Në foto viktima, Bledar Muça

Sipas gazetares së Klan News, Anila Sefa, autorët kanë hapur zjarr nga një automjet në lëvizje, ndërkohë që viktima ndodhej i ulur në lokal me një prej të plagosurve, Judin Velon.

Rreth 1 orë e gjysmë pas ngjarjes, policia njoftoi se në fshatin Thanasaj ishte gjetur i djegur një automjet që dyshohet se i përkiste autorëve.

Foto nga vendi i ngjarjes

E gjithë ngjarja e rëndë ndodhi në një kohë kur në zonë ndodheshin qytetarë të shumtë që kishin dalë për shëtitje apo për të konsumuar kafe, të cilët u terrorizuan jo pak nga të shtënat.

Mbeten të paqarta shkaqet apo personat që fshihen pas këtij atentati. Policia thotë se vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes./tvklan.al