Një 54-vjeçar humbi jetën, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur rëndë pasi u qëlluan me armë nga dy grabitës të armatosur në dyqanin e tyre të vogël në rrugën “OSBE”, në Kamëz. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të së mërkurës.

Sipas policisë, dy autorët e maskuar me kapele dhe kapuçë tentuan të grabisnin minimarketin e Agim dhe Merita Bucit, por hasën në kundërshtimin e çiftit të pronarëve. Mësohet se 54-vjeçari është konfliktuar fizikisht me autorët të cilët nuk kanë hezituar të përdornin armën.

Agim Buci humbi jetën gjatë rrugës për në spital për shkak të plagëve të rënda, ndërsa bashkëshortja e tij 47-vjeçare ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Fqinjët të familjes Buçi nuk pranuan të flisnin para kemaras, por treguan se kishin dëgjuar të shtënat të cilat fillimisht i kanë ngatërruar me kapsolla, por të bërtiturat e Merita Bucit kanë alarmuar të gjithë. Ata thonë se nuk kanë parë autorët për shkak se rrugica është pa ndriçim, fakt që përdoret shpesh nga grabitësit në këtë zonë. Çifti Buci kishte 4 fëmijë. 

Në hyrje dhe daljet e Kamzës policia ka ngritur pika të shumta kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Forca të shumta policie po bëjnë krehjen e  zonës dhe kontrollin e saj. Ekspertët kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen pranë minimarketit ku ndodhi ngjarja në përpjekje për identifikimin e autorëve.

Deri tani janë shoqëruar 13 persona për tu marrë në pyetje ndërsa policia e Tiranës ka vënë në dispozicion 500 mijë leke për cilindo që jep informacion të vlefshëm për zbardhjen e ngjarjes.

Tv Klan