Vriten 3 nga agresorët dhe kapen 6

1 vrarë dhe të 3 të plagosur është bilanci i sulmit të kryer një grup personash të armatosur në veri të Kosovës.

Ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të mëngjesit të së dielës në hyrje të fshatit Banjskë të banuar me shumicë serbë. Persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës.

Rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë ndërsa u plagosën dy policët, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Kosovës menjëherë u vu në lëvizje për të kapur agresorët që sipas saj ishin rreth 30 persona. Një pjesë e tyre u mbyllën në Manastirin e Banjskës dhe vetëm pasditen e vonë të së dielës u bë i mundur edhe marrja nën kontroll nga ana e policisë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dha më pas dhe detajet e këtij operacioni që zgjati rreth 17 orë.

Xhelal Zveçla: Deri më tani sipas informacioneve nga terreni tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi këtë sulm si të orkestruar nga Beogradi dhe përpjekja e grupit terrorist për destabilizim dështoi.

Albin Kurti: Kemi të plagosur dhe 3 të vrarë prej tyre dhe gjithashtu të arrestuar. Procesi në vijim do të na japë të dhëna se kush saktësisht janë këta dhe kush janë urdhërdhënësit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Republikën e KosovësNga ato që kemi mësuar deri më tani që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal i cili ka planifikuar gjatë këtë që kanë kryer sot… Bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është përkrahur, politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar.

Policia e Kosovës sakaq shprehet se gjatë kontrollit të ushtruar në manastirin e Banjskës janë gjetur dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, mitralozë apo dhe kallashnikovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli 25 Shtatorin ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku.


TË GJITHA ZHVILLIMET


Sulmi në Banjskë, Prokuroria ndalon gjashtë persona dhe sekuestron automjete me armatim

Gjashtë persona janë ndaluar për përfshirje në sulm ndaj Policisë së Kosovës në ngjarjen e mëngjesit të sotëm në Banskë të Zveçanit. Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Speciale, ndërsa bën të ditur se edhe janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.

”Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se që nga marrja e informatave të para lidhur me sulmin e ndodhur në mëngjesin e sotëm, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në vendin e ngjarjes ka dalur prokurori i PSRK-së për të mbikëqyrur aksionin e sotëm.

Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës, janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të  armatimit të llojeve të ndryshme.

Prokuroria Speciale i shpreh ngushëllime familjes së Policit të vrarë, ndërsa policëve të plagosur në këtë aksion iu uron shërim të shpejtë.

PSRK, thekson se hetimet nga vendi i ngjarjes po vazhdojnë në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante përgjegjëse.

Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të ndaluarit dërgohen në mbajtje për 48 orë”.​


Ambasadori Hovenier ndez qirinj në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, u ka shprehur përsëri ngushëllimet më të thella familjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, që u vra sot në krye të detyrës në veri.

Madje, në nderim të veprës së tij, ambasadori Hovenier, mori pjesë edhe në ceremoninë e ndezjes së qirinjve.

”Bashkë me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar në ceremoninë e ndezjes së qirinjve për nder të rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i vrarë sot në krye të detyrës. Edhe një herë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe kolegëve të policit”.


Nesër ditë zie në Kosovë në nderim të policit të vrarë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur të hënën ditë zie në Kosovë në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca përmes një postimi në Facebook.

“Presidentja Vjosa Osmani e shpallë të hënën ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 Shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të venditZija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.


Sulmuesit serbë në veri të Kosovës, Vuçiç: Kemi frikë se ka vdekur dhe një i katërt

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thotë se ka dyshime se ka vdekur dhe një sulmues tjetër serb në Banjskë të Zveçanit. Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Vuçiç, shprehet se sipas tij, në Kosovë ditën e sotme “është bërë një sulm brutal ndaj serbëve”.

Aleksandër Vuçiç: Unë, në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt. Kjo është për t’u gjykuar. Kurti është organizatori kryesor i kaosit në Kosovë. Ka këtu një gjë të pabesueshme, për vetëm 1 orë e 20 minuta, ata dhjetra serbë, ishin nën rrethimin e plotë të shqiptarëve. U bë një sulm brutal ndaj serbëve dhe bëmë pyetjen pse nuk e bëri këtë KFOR se mund të kishte më pak viktima.

3 serbë nga Kosova kanë vdekur nga zjarri i snajperit nga një largësi e madhe ku nuk ka pasur nevojë që të likujdohen. Kemi frikë se ka vdekur dhe një i katërt. Ne e kemi monitoruar çdo gjë që ka bërë policia shqiptare dhe po presim që t’i ofrojmë ato dëshmi.

Ne kemi inicizime zanore qysh policët shqiptarë qeshin dhe thonë “le t’i lëmë të vdesin”. Kemi xhirime që e vërtetojnë një gjë të tillë. Presim që këtë ta konfirmojë dikush. Ata shfrytëzuan snajperë dhe qëlluan dhe në shtëpi private ku nuk ishte askush, ishin të moshuar aty. Manastiri dhe kisha në asnjë mënyrë nuk janë përfshirë në këtë situatë.


Sulmi në Zveçan/ Kurti: I përkrahur politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth sulmeve në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë të lënduar. Ai ka thënë se nga ato që ka mësuar deri tani, bëhet fjalë për një strukturë mercenarë e cila është përkapur politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar.

“Urojmë që ky të jetë i fundit në këtë rrugën e vështirë për ligj e për drejtësi”, ka thënë Kurti.

I pyetur për detaje rreth numrit të të arrestuarve, ai ka thënë se është Policia e Kosovës, ajo që informon për të dhënat nga terreni.

“Kemi të plagosur dhe 3 të vrarë prej tyre dhe gjithashtu të arrestuar. Procesi në vijim do të na japë të dhëna se kush saktësisht janë këta dhe kush janë urdhërdhënësit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Republikën e KosovësNga ato që kemi mësuar deri më tani që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal i cili ka planifikuar gjatë këtë që kanë kryer sot… Bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është përkrahur, politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar”, ka theksuar kryeministri Albin Kurti.


Vuçiç: Nuk justifikoj vrasjen e policit shqiptar. Akt i dënueshëm, nuk i duhej askujt, fajtor është Albin Kurti

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thotë se nuk justifikon vrasjen e policit shqiptar në Bnjaskë të Zveçanit. Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Presidenti serb, Vuçiç e ka dënuar aktin teksa ka shtuar se fajtor për kaosin është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Aleksandër Vuçiç: Unë, në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt. Kjo është për t’u gjykuar. Kurti është organizatori kryesor i kaosit në Kosovë. Ka këtu një gjë të pabesueshme, për vetëm 1 orë e 20 minuta, ata dhjetra serbë, ishin nën rrethimin e plotë të shqiptarëve. U bë një sulm brutal ndaj serbëve dhe bëmë pyetjen pse nuk e bëri këtë KFOR se mund të kishte më pak viktima.


Borrell bisedë telefonike me Kurtin dhe Vuçiç: Sulmuesit të dorëzohen menjëherë

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me sulmet në Zveçan, ku humbi jetën një pjesëtarë i Policisë së Kosovës.

Gjatë këtyre bisedave telefonike, Borrell ka përsëritur thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit, raporton Klan Kosova.

“Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti. Ai dënoi me shprehjet më të forta agresionin e sotëm”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe i uroi shërim të shpejtë policit të plagosur.

Borrell ka telefonuar edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhet tutje në komunikatë.

“EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”, thuhet në fund të komunikatës.


Sveçla nga vendi i ngjarjes: Zyrtarët policorë e vunë nën kontroll territorin

Ministri i Brendshëm, Xhela Sveçla, ka qëndruar në vendin e ngjarjes, ku mbeti një polic i Kosovës i vrarë dhe një tjetër i plagosur. Sveçla, bëri të ditur se pas kësaj zyrtarët e Policisë së Kosovës falë profesionalizimit e vunë gjithë territorin nën kontroll.

“Vizituam vendin e ngjarjes, ku pak pas orës tre të mëngjesit, grupe të armatosura sulmuan patrullën tonë policore, meqë rast vranë rreshterin tonë Afrim Bunjaku”, u shpreh Sveçla.

“Po ashtu kishim një zyrtarë tjetër të plagosur dhe një të lënduar”.

“Pas kësaj përgjigjja e zyrtarëve policorë të Kosovës ishte e menjëhershme, profesionale për një kohë relativisht të shkurtër e vendosën gjithë këtë territor në kontroll, ajo u bë pas një numri të betejave, ku kishim edhe një zyrtar tjetër të lënduar lehtë”.

“Me këtë rast ne kemi po ashtu gjashtë të arrestuar dy nga ta të plagosur me uniformë të armatusur dhe katër të tjetër me radiolidhje, dhe së paku tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u bërë procedura e identifikimit”.

“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme të armatimit të rëndë këmbësorie eksploziv, logjistikë, ushqime pajisje për barrikada, lirisht mund të themi që ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë”.

“Ky nuk është cilësim i imi, por është një grup terrorist që ka marrë dhe aksion terrorist. Me një reliev të ashpër mes Serbisë dhe Kosovës, edhe këqyrja e terroristëve nuk është e pamundshme, por veprimtaritë e tyre janë të pamundshme tani. Akioni i policisë po vazhdon ende. Armët janë të lloj-llojshme, do të keni listën e saktë pas hetimeve.  Ka disa që mund të lidhen me rastin e Zveçanti, por ka edhe armë që jemi ndeshur për herë të parë. Aksioni vazhdon.  Zona ku po vazhdon aksioni është më e gjerë.”


Kurti viziton familjen e policit të vrarë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka arritur në Samadrexhë të Vushtrrisë, tek familja e policit të vrarë Afrim Bunjaku. Përndryshe, në mëngjesin e sotëm mbeti edhe një polic i plagosur nga sulmi në mëngjes, i njëjti është jashtë rrezikut për jetën.


Situata në veri, mediat e Kosovës: Njësia Speciale merr nën kontroll Manastirin e Banjskës

Sipas mediave të Kosovës, të cilat i referohen burimeve nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, thuhet se nga kjo njësi ka marrë nën kontroll të plotë Manastirin e Banjskës në Zveçan.

Ky manastir, sipas reagimeve fillestare të qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Kurti, ishte rrethuar të paktën 30 persona të armatosur rëndë.

Informacionet paraprake flasin për 6 sulmues serbë të arrestuar, ndërsa 3 të tjerë janë vrarë në një shkëmbim zjarri me forcat e policisë të Kosovës.

Grupit kriminal i përbërë prej 30 personash ishte pozicionuar në Manastirin e Banjskës në Zveçan dhe ka shfrytëzuar gjithashtu objekte të tjera private prej nga ku e ka sulmuar Policinë e Kosovës të armatosur rëndë dhe të pajisur gjithashtu me automjete të blinduara.


Postblloku i fundit para vendit të ngjarjes, 1.5 kilometra nga Manastiri i Banjskës

Klan Kosova ka sjellë pamje të postbllokut të fundit pranë vendit të ngjarjes në veri. Ai gjendet 1.5 kilometra nga Manastiri i Banjskës.


Presidentja Osmani: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se të gjithë janë në krah të Policisë së Kosovës. Ajo tha se terroristët nuk i zmbrapsin, por sipas saj, vetëm e forcojnë vendosmërinë e tyre.

“Në misionin fisnik, në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të Republikës së Kosovës, jemi të gjithë në krah të Policisë së Kosovës. Të gjithë bashkë me një mesazh: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë!  Faleminderit heronjve tanë në uniformë! Kosova është e përjetshme”, ka shkruar Osmani.


Von Cramon: Sulm i papranueshëm, të dorëzohen të armatosurit në manastir

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se “sulmi i orkestruar” ndaj forcave legjitime të Policisë së Kosovës “është absolutisht i papranueshëm” dhe se autorët e tij duhet të dalin para drejtësisë.

“E dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe shpreh solidaritetin tim të plotë me popullin e Kosovës”, shkroi von Cramon në Twitter.

“Pjesëmarrja e mundshme e strukturave serbe (nga Beogradi) duhet të hetohet, ndërkohë që është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin”, tha ajo.

Von Cramon tha se u bën thirrje të gjithë aktorëve që “t’i bindin burrat e armatosur në manastirin e Banjskës që t’i ulin armët dhe të dorëzohen pa vonesa të mëtejshme”.


Sveçla: Zotohemi që lufta për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është zotuar që lufta për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet.

“Rreshter Afrim Bunjaku ra sot në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës. Ne zotohemi, që lufta dhe përpjekja e Afrimit dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet”, ka shkruar Sveçla.


Katër sulmues serb që u kapën nga policia dërgohen në stacionin në Mitrovicë të Jugut 

Katër sulmues serb të kapur nga policia e Kosovës janë dërguar në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.

Kështu kanë të ditur burime të Klan Kosovës nga stacioni policor në Mitrovicë të Jugut.

Ndërkaq policia ka bërë të ditur se janë vrarë tre sulmues, një sulmues është arrestuar dhe jan ë arrestuar edhe katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve.

“Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme”.

“Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme”, thuhet në komunikatën e policisë.


Policia e Kosovës konfirmon vrasjen e tre sulmuesve në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve në Banjskë të Zveçanit dhe arrestimin e një sulmuesi.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se i ka arrestuar katër persona të tjerë të dyshuar, të cilat janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.

Në orët e para të së dielës, si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, është vrarë një zyrtar i këtij institucioni dhe dy të tjerë janë plagosur.

Më vonë edhe një zyrtar tjetër policor ka pësuar lëndime të lehta.

Policia ka thënë se situata vazhdon të jetë e tensionuar dhe se ende ka të shtëna me armë zjarri në atë pjesë.

NJOFTIMI I POLICISË:

”Në zonën e fshatit Banjska situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, po ashtu sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë, varësisht nga lëvizjet e grupeve kriminale.

Veprimet policore po realizohen sipas planifikimeve dhe zhvillimeve në terren, duke u përgjigjur në vetëmbrojtje ndaj sulmeve të adresuara ndaj zyrtarëve policorë, të cilëve po iu rrezikohet jeta e tyre e drejtpërdrejtë.

Sipas informatave zyrtare nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur.

Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.

Gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.

Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme.

Hetimet dhe ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës”.


MPJ-ja gjermane dënon ashpër vrasjen e policit, njofton se Sarrazin sot vjen në Kosovë

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka reaguar për vrasjen e sotme të policit të Kosovës në pjesën veriore.

Vrasja e tij ka ardhur nga një grup i armatosur e i maskuar kriminal, që dyshohet të jenë serbë, sipas kryeministrit Albin Kurti.

“Dënojmë me termat më të ashpër sulmin e tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës. Mendimet tona janë me familjen e oficerit të vrarë dhe të plagosurit rëndë. Grupet e armatosura të paligjshme duhet të ndalojnë rrezikimin e jetëve. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”.

“Manuel Sarrazin udhëton për në Kosovë sot”, ka shkruar ministria e Jashtme Gjermane.


Ministri Rashiq: Dy sulmues të vrarë, një i plagosur dhe një i arrestuar

Sipas ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dy prej sulmuesve janë vrarë afër Banjskës, një është plagosur dhe një tjetër është arrestuar. Kështu ai ka thënë për mediumin serb Nova.rs. Sipas tij, situata rreth manastirit të Banjskës është ende dramatike dhe se nuk ka shenja se do të qetësohet shpejt.

Sipas informacioneve të tij, një pjesë e sulmuesve kanë hyrë në manastir, ndërsa policia i ka bërë thirrje të dorëzohen me megafon. Sipas burimeve nga policia, sulmuesit janë të organizuar mirë dhe dyshohet se janë të armatosur me armë të rënda dhe mortaja.

Sipas informacioneve të Rashiqit, ende nuk dihet kush janë sulmuesit.

“Situata është dramatike. Jam dëgjuar disa herë me Sveçlën, ministrin e policisë. Së fundmi ka dalë lajmi se në atë përleshje kanë mbetur të vrarë disa persona. Mëngjesin e sotëm policia u ka dërguar kërkesë për dorëzim, por nuk ka asnjë komunikim apo kontakt mes dy palëve. Policia thërret me megafon sulmuesit, por nga ana tjetër nuk ka përgjigje. Situata rreth manastirit në fshatin Banjskë është ende dramatike, nuk ka shenja se do të qetësohet së shpejti. Tani për tani është e qetë”, thotë Rashiq për Nova.

Ai thekson se KFOR-i është duke punuar në ndërmjetësim për momentin, në mënyrë që disi të qetësohet situata.

“Ajo diplomaci duhet t’i bindë ose t’i detyrojë njerëzit të dorëzohen sepse askush nuk është i interesuar për gjakderdhje të mëtejshme apo përkeqësim të situatës”, thotë Rashiq.

Bashkëbiseduesi i Nova.rs thekson se sulmuesit ndodhen brenda dhe rreth vetë manastirit.

“Një numër sulmuesish janë brenda vetë manastirit, ndërsa disa rreth vetë manastirit. Tani për tani askush nuk e di se kush janë sulmuesit, përveç se bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë dhe të organizuar. Nga një burim nga MPB-ja kam dëgjuar se ata persona kanë pasur armë dhe mortaja. Ky armatim kërkon shumë logjistikë. Kjo është ajo që ne dimë tani për tani. Gjëja më e rëndësishme, siç më thonë Kurti dhe Sveçla, është se ne nuk jemi për përshkallëzimin e mëtejshëm, por për një zgjidhje paqësore të situatës”, thotë Rashiq.

Ai shton se sipas informacioneve nga policia deri më tani janë vrarë dy sulmues, ndërsa të paktën një është plagosur.


Ambasadorët e QUINT-it takim me kryeministrin Kurti

Ambasadorët e QUINT-it i kanë shkuar në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të zhvilluar një takim me të.

Pjesë e këtij takimi kanë qenë ambasadori i ShBA-së, i BE-së, i Britanisë, i Francës, i Gjermanisë si dhe ai i Italisë.

Më poshtë mund të shihni pamje të njërit prej ambasadorëve teksa hynin në ndërtesën e qeverisë:


Vrasja e policit në Kosovë, KFOR: Gati të përgjigjemi nëse na kërkohet

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic.

Në një reagim zyrtar, KFOR thotë se Policia e Kosovës ka tagrin e parë për të reaguar në terren.

Por nëse do të kërkohet ndihma e KFOR, këta të fundit thonë se janë të gatshëm të përgjigjen.

“Misioni i KFOR i udhëhequr nga NATO dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit.

Komandanti i KFOR qëndron në kontakt të afërt dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe BE-në, shefin e Forcave të Armatosura Serbe, me institucionet në Kosovë dhe po punon për të gjetur një zgjidhje.

Policia e Kosovës, ka përgjegjësinë e para që të menaxhojë incidentet në terren.

KFOR po e monitoron nga afër situatën në Banjska, trupat e KFOR janë në zonë dhe të gatshme të përgjigjen nëse u kërkohet”, thuhet në reagimin e KFOR.

Disa minuta më parë Policia e Kosovës vrau një pjestar të grupit të armatosur që po qëndron në manastirin e Banjskës.


Vritet një nga sulmuesit e grupit të armatosur në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka vrarë një nga kriminelët e grupit të armatosur prej më shumë se 30 personash që janë pozicionuar në veri të vendit.

Grupi kriminal i armatosur rëndë qëndron në manastirin e Banjskës. Ndërsa Policia e Kosovës i mban të rrethuar.

Kriminelët qëllojnë vazhdimisht në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u detyrua të kundërpërgjigjej me armë duke ekzekutuar njërin prej tyre.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Policia e Kosovës.


Mbyllet edhe pika e 2 kufitare e Kosovës me Serbinë

Kosova ka mbyllur edhe pikën e dytë kufitare që e lidh me Serbinë. Pas Bërnjakut, është mbyllut edhe pika e Jarinjes.

Situata është e tensionuar për shkak të vrasjes së policit të Kosovës nga grupet kriminale në veri të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se janë të paktën 30 persona të armatosur rëndë dhe me përgatitje ushtarake që qëndrojnë në manastirin e Banjskës dhe mbahen të rrethuar nga policia e Kosovës.


Lajçak: Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka dënuar sulmet e grupeve kriminale ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan.

Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka shkruar se dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme.

“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është me viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka shkruar Lajçak. 


Borrell: Dënoj sulmin nga banda e armatosur kundër policëve të Kosovës, të ndalen menjëherë

Përfqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell ka dënuar sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës, ku një efektiv mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe të mundshme sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic dhe dy të tjerë të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët duhet të përballen me drejtësinë. Jetë të pafajshme janë në rrezik me armiqësinë që po vijon në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Sulmet duhet të ndalen menjëherë. EULEX është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE dhe shtetet anëtare u bëjnë thirrje të gjithë palëve që të punojnë për të depërshkallëzuar situatën në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Borrell.


Veliaj dënon sulmin ndaj policisë në Kosovë: Barbari e pashoqe për Europën e 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka dënuar sulmin ndaj forcave të policisë në Kosovë.

Në një reagim për ngjarjen në veri të Kosovës, Veliaj e cilëson këtë sulm një barbari për Europën e 2023.

 “Sulmi i organizuar kriminal ndaj forcave të policisë së Kosovës është një barbari e pashoqe për Europën e 2023!

Unioni Bashkive dënon me force këto akte terrori si dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së heroit Afrim Bunjaku dhe shërim të shpejtë dy kolegëve të tij”, nënvizon kryebashkiaku Veliaj.


Albin Kurti publikon fotot: Mbi 30 persona të armatosur me përgatitje ushtarake sulmuan policinë, u bëj thirrje të dorëzohen

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka publikuar fotografitë e disa personave të armatosur rëndë që sulmuan Policinë e Kosovës mëngjesin e sotëm, ku mbeti i vrarë një efektiv policie.

Në një konferencë të posaçme për shtyp, Kurti tha se ky grup i armatosur përbëhet nga të paktën 30 persona të cilët janë me përgatitje ushtarake ose policore.

Në fotografitë e publikuara, duken personat e armatosur rëndë që po qëndrojnë në Banjzë të Zveçanit në një manastir të zonës dhe mbajnë të rrethuar atë territor.

Kurti tregoi me fotografi edhe fuoristrada pa targa si dhe një autoblind që posedohen nga këta persona të armatosur.

Aktualisht luftimet me Policinë e Kosovës po vijojnë, pasi efektivët mbajnë të rrethuar perimetrin e manastirit ku ndodhet grupi i zjarrit.

Kryeministri i Kosovës u ka bërë disa herë thirrje personave të armatosur që të dorëzohen.


Kryeministri Rama: Këmbana më e madhe e alarmit, të thirret konferencë e jashtëzakonshme paqeje

Kryeministri Edi Rama e konsideron tepër të rëndë vrasjen e policit të Kosovës dhe si këmbanën më të madhe të alarmit të situatës në veri të vendit.

Kreu i qeverisë shqiptare i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë dhe të thërrasë urgjentisht një konferencë të jashtëzakonshme paqeje si dhe të ulë Kosovën e Serbinë në tryezën e dialogut.

Kryeministri Rama bën thirrje që të merren masa të jashtëzakonshme për të mos lejuar përkeqësimin e situatës përpara se kriza në veri të Kosovës të dalë jashtë kontrollit dhe të destabilizojë Ballkanin.

“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë.

Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”.

Policia e Kosovës u sulmua me armë të rënda nga një grup kriminal në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke vrarë një prej tyre dhe plagosur një tjetër. Ndërsa një polic i tretë ka pësuar lëndime të lehta.


Presidenti Begaj: Akt i organizuar kriminal, komuniteti ndërkombëtar të reagojë

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Leposaviq, ku mbeti i vrarë një punonjës policie.

Begaj e konsideron akt të organizuar kriminal këtë ngjarje dhe cënim të rendit të Kosovës.

Ndërsa kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve.

Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.

Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”, thotë Presidenti Begaj.


Ministri Hasani: Dënojmë sulmin, Shqipëria është në krah të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka dënuar sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku si pasojë mbeti i vrarë një efektiv policie dhe u plagos një tjetër.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Hasani thotë se vrasja e policit të Kosovës kërcënon stabilitetin e rajonit dhe se autorët duhet të përballen me ligjin.

“Dënojmë me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës. Ngushëllimet tona për familjen e oficerit të Policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe shërim të shpejtë efektivit të plagosur. Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë”.

Ministri Hasani ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën, ndërsa thekson se kjo situatë kërkon bashkëpunim të autoriteteve të Kosovës me vendet aleate.

“Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”.

Vrasjen e policit të Kosovës e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, si dhe e gjithë klasa politike.


Ambasadori i SHBA në Kosovë: Dënojmë sulmet e orkestruara ndaj Policisë së Kosovës

Ambasadori i SHBA në Kosovë, Hovenier, ka dënuar sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vra një punonjës policie dhe një tjetër u plagos.

Në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë, thuhet se ambasadori Hovenier dënon sulmet e orkestruara ndaj Policisë së Kosovës dhe se autorët duhet të dalin para ligjit.

“SHBA dënon ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitimitet për të zbatuar sundimin e ligjit sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Autorët të ndërpresin menjëherë sulmet. Në emër të SHBA, shpreh ngushëllimet për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra në krye të detyrës. Gjithashtu uroj shërim të shpejtë për oficerët e plagosur”, thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë.


Vendoset gjendja e gatishmërisë në spitalet e Kosovës

Në institucionet shëndetësore të Kosovës është ngritur gjendja e gatishmërisë. Masat janë marrë pas vrasjes së policit në veri të Kosovës, që u sulmuan me armë nga një grup i armatosur në Leposaviq.

Gazetarja e Tv Klan në Kosovë, Blerta Dalloshi Berisha, tha se policët e Kosovës ranë në një pritë, pasi fillimisht u njoftuan për një bllokim rruge. Por aty u sulmuan me armatim të rëndë, duke shkaktuar vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri. Ky i fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha ndoqi nga afër situatën në Spitalin e Mitrovicës, ku stafi aty është njoftuar që të qëndrojë në gatishmëri.

Ndërkohë, perimetri i Spitalit të Mitrovicës është liruar nga të gjitha makinat të cilat kanë qenë të parkuara aty pranë.


Pacolli për vrasjen e policit në veri: Akt terrorist

Ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, ka reaguar pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e një tjetri në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri.

Pacolli tha se ky është një akt terrorist.

“Gjatë natës ka mbetur i vrarë njëri prej policëve tanë hero, Afrim Bunjaku, ndërsa një tjetër është plagosur. Ky është një sulm i rëndë ndaj ligjit dhe rendit, dhe nuk është gjë tjetër veçse një akt terrorizmi dhe duhet trajtuar si i tillë. Ngushëllimet e mia familjes Bunjaku, ndërsa policit tonë të lënduar i uroj shërim të shpejtë. Opozitë dhe pozitë, duhet të jemi të gjithë të bashkuar në këto momente”, tha Pacolli.

Ky është polici që u vra në veri të Kosovës


Vrasja e policit në Kosovë, mbyllet pika kufitare me Serbinë

Pika kufitare në Bërnjak të Kosovës është mbyllu për hyrje nga Serbia.

Mbyllja e kësaj pike vjen pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, ku në orët e mëngjesit të sotëm u vra një polic i Kosovës dhe u plagos një tjetër. Policia e Kosovës u sulmua me armë nga grupe kriminale në Leposaviq, në veri të vendit.

Drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, por dhe politikanë, e kanë dënuar këtë ngjarje të rëndë dhe kanë bërë thirrje se autorët do të dalin para drejtësisë.


NJOFTIMI I POLICISË SË KOSOVËS

Policia e Kosovës (PK) në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore, sipas detyrës zyrtare ka të angazhuara njësi patrulluese në nivel vendi, me qëllim të kryerjes së detyrave policore në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.

Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit  dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor.


Vrasja e policit në Kosovë, Kurti dhe Osmani: Sulmi kriminal i orkestruar nga Serbia

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidentja e vendit Vjosa Osmani kanë dënuar sulmin me armë ndaj policisë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një efektiv.

Kryeministri Kurti thotë se autorët e kësaj ngjarje do të kapen dhe do të dalin para drejtësisë, teksa theksoi se sulme të tilla janë të mbështetura nga Serbia.

“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.

Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”.

Edhe Presidentja Vjosa Osmani e drejtori gishtin e akuzës nga Serbia, duke e akuzuar se po sfidon integritetin territorial të Kosovës.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”.

/tvklan.al