Luçjano Marku është vëzhgues plazhi në plazhin e Ranës së Hedhun në Lezhë. Ai ka folur gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan për pasionin e tij. Por ndër të tjera, Marku ka treguar edhe një nga momentet e vështira ku është dashur të shpëtojë rreth 10 persona nga mbytja. Bëhet fjalë për një ngjarje e cila për kohën u bë virale, ku edhe plazhistët tentuan të ndihmonin duke u lidhur dorë për dore për të tërhequr personat e rrezikuar.

“Ky është një nga momentet më të vështira që kam pasur. U bë një ndër videot më virale të kohës. Aty kemi nxjerrë atë ditë rreth 10 persona. Faktikisht ishte një ditë me një rrymë të jashtëzakonshme. Ishte e vetmja mënyrë që mund t’i nxirrnin. Rana e Hedhme ka një problem. Ka shumë rryma nënujore dhe aty kishte një rrymë të jashtëzakonshme nënujore. Është e pamundur të orientohesh në rrymë. Ishin 10 persona aty. Fillimisht ishte një familje, dy vajza dhe babai i tyre. U detyrova se të tre nuk mundesha t’i tërhiqja. U detyrova që t’i çoja te kufizueset që t’i kapja dhe t’i sillja një nga një. Në atë moment, një pjesë e shokëve të mi dhe rreth 5-6 pushues menduan që ishte e pamundur që të dilja dhe unë dhe pushuesit dhe u futën dhe këta brenda. Rryma i detyroi që të vinin tek kufizuesit. Jam detyruar që t’i nxjerr një nga një të gjithë personat atë ditë. Ka qenë një ditë vërtetë shumë e lodhshme. Aty ku jemi ne ishim 2 metra thellësi, ndërsa tek të tjerët është zonë e sigurt, por të gjithë janë të kapur me litar dhe dorë më dorë”, tha ai./tvklan.al