Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç falenderoi sot Presidentin e Rusisë Vladimir Putin për medernizimin e forcave ushtarake të Serbisë duke i dhënë vendit të tij tanke dhe mjete të blinduara luftarake.

“Do ta përsëris për ata që nuk e dinë: armët janë dhuratë, mjete plotësisht moderne nga Rusia. Ne nuk kemi paguar për to. Rusia ka paguar për modernizimin e forcave dhe unë i falenderoj. Kjo e shton dukshëm aftësinë tonë ushtarake”

Presidenti Vuçiç foli gjatë inspektimit të dhjetë mjeteve të blinduara ushtarake që mbërritën së fundmi në një bazë ushtarake serbe.

“Për ne është e rëndësishme që respektuam ligjet ndërkombëtare dhe arritëm të sillnim pajisjet ushtarake në territorin tonë. Si dhe në çfarë mënyre e bëmë, është puna jonë”.

Pajisjet ushtarake mbërritën megjithë kundërshtimin e Rumanisë fqinje për të lejuar kalimin e tyre transit përmes lumit të Danubit për shkak të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Moskës si rezultat i veprimeve të saj në Ukrainë.

Shtypi njofton se Rusia përdori aeroplanë transporti për dërgimin e pajisjeve ushtarake në Serbi.

Rusia e ka ndihmuar Serbinë të modernizojë forcat e saj të armatosura duke ngritur shqetësime për sigurinë në Ballkan.

Serbia ka marrë tashmë 6 aeroplanë luftarakë MiG-29 nga Rusia dhe ndonëse pretendon të jetë ushtarakisht neutrale, po negocion blerje të tjera armësh nga Moska, përfshirë heikopterë luftarakë dhe transporti si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore./VOA