Presidenti serb Aleksandër Vuçiç hedh poshtë akuzat se autoritetet serbe e kanë ndihmuar ish-kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski të arratiset përmes Serbisë. Në një intervistë për mediat vendase Vuçiç shpjegon se Serbia nuk mund ta ndalonte Gruevskin, pasi ai kishte kaluar në territorin serb drejt Hungarisë, përpara se Interpol Shkupi të lëshonte urdhërarrestin.

“Vetëm më 13 Nëntor, në orën 19.35, nga Interpol Shkupi na është dorëzuar një urdhërarrest. Por nëse e ndalnim para lëshimit të urdhërarrestit, do të konsiderohej sikur ne e kishim rrëmbyer Gruevskin. Ne nuk jemi vend i egër.”

Duke iu referuar dokumenteve, Vuçiç shpjegon se Gruevski hyri në Hungari përmes territorit serb duke përdorur dokumente te rregullta i shoqëruar nga persona me pasaporta diplomatike.

“Më 12 nëntor, në 5.11 personi në fjalë u largua nga Serbia përmes pikës kufitare të Horgoshit me një lejekalimi me numër 100.501 të lëshuar në Tiranë, me letërnjoftim të rregullt. Personat që e shoqëronin kishin automjet dhe pasaporta diplomatike.”

Leja e kalimit që përmend Vuçiç, ndoshta i është lëshuar Gruevskit nga ambasada e Hungarisë në Tiranë për të hyrë në territorin e saj, pasi autoritetet maqedonase ia kanë sekuestruar atij pasaportën që në korrik të 2017-ës, kur ndaj tij nisën hetimet për disa raste korrupsioni, nga frika e arratisjes. Ambasada e Hungarisë në Tiranë deri tani nuk ka dhënë asnjë sqarim për rastin ndërsa policia shqiptare tha se ish-kryeministri maqedonas doli nga pika e doganore e Hanit të Hotit në një makinë të ambasadës hungareze.

Tv Klan