Presidenti serb paralajmëron shtyrje  të dialogut

Dorëheqja e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj ka trazuar edhe mjedisin politik në Serbi. Presidenti Aleksandër Vuçiç mblodhi në një takim urgjent krerët e shtetit mbrëmjen e së premtes.

Në një deklaratë për shtyp paraditen e kësaj të shtune, Vuçiç e quajti vendimin e Haradinajt një lëvizje për përfitim personal politik.

“Ne kemi frikë se zhvillimet politike në Kosovë po shkojnë në atë drejtim për të shtyrë edhe më tepër dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dorëheqja e Haradinajt është një dredhi politike, përmes të cilit dëshiron të fitojë më shumë popullaritet dhe të dominojë mbi kundërshtarët e tij politikë”.

Sipas Vuçiç, Haradinaj synon të kthehet më i fuqishëm pas procesit gjyqësor në Hagë, për të fituar edhe më shumë vota në zgjedhjet e mundshme në shtator.

Rreth dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj u shpreh edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Në reagimin për Zërin e Amerikës DASH thekson se “Shtetet e Bashkuara përgëzojnë respektimin nga ana e Haradinajt të thirrjes për t’u paraqitur para Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Dhomave të Posaçme për Kosovën në Hagë”.

Tv Klan