Vuçiç i kërkon Greqisë të mos e njohë Kosovën

Vuçiç i kërkon Greqisë të mos e njohë Kosovën

11:30 24/09/2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërkoi nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, që Greqia të mos e ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë.

Dy liderët u takuan në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, bëri të ditur shërbimi për media i Presidencës serbe.

Sipas komunikatës së lëshuar të martën, Vuçiç tha se popullin serb dhe atë grek i lidh një miqësi e sinqertë dhe se është e nevojshme të punohet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Vuçiç tha se e falenderon Greqinë për mbështetjen që i jep dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.

Në komunikatë thuhet se Vuçiç e njoftoi kryeministrin grek edhe me, siç u shpreh, problemet që kanë lindur pas vendimit të autoriteteve në Kosovë për t’iu vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Mitsotakis, në anën tjetër, tha se Greqia e mbështet dialogun, por konsideron se “veprimet e njëanshme nuk kontribuojnë në të”.

Mitsotakis po ashtu tha se Greqia nuk ndryshon qëndrim kur është në pyetje njohja e Kosovës.

Greqia, së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

Javë më parë, presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, ka thënë se do të diskutojë me zyrtarët kushtetues mundsinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Serbia, tash e sa kohë, thuhet se është angazhuar në një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën që të zmbrapsen nga një hap i tillë./REL

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT