Pasi i ka shkruar letër presidentit amerikan, Donald Trump, ku i ka sqaruar se Serbia është e gatshme në momentin që Kosova heq taksën, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka pritur anëtarin e presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik. Bashkë me të kanë diskutuar për Kosovën dhe marrëdhëniet në rajon. Presidenti duke komentuar diskutimet për Kosovën dhe reagimet e ashpra më media pasi një basketbollist serb deklaroi se Kosova është e humbur, tha se zgjidhja është e mundur, por Kosova nuk e dëshiron një gjë të tillë.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: 

Nëse do të kem rastin, do të them atë që është zgjidhja. Por kam frikë se nuk do të vijmë deri tek kjo situatë pasi problemi me taksat ka bërë që të humbasë besimi tek bisedimet. Nëse nuk jemi në gjendje ta zgjidhim këtë problem me taksën, si do të marrim vendime më të rëndësishme? Nuk jam optimist, por nuk do të jemi dyfytyrësh dhe të gënjejmë.

Kreu i serbëve të Bosnjes theksoi se të gjithë duhet ta dinë se Serbia është faktor në Ballkan. Serbët e Bosnjës nuk reagojnë për të mos e dëmtuar Serbinë.

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës Boshnjake: 

Ne e kemi pranuar disi këtë rrëfim kur shohim integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ne si vend nuk kemi reaguar për të mos dëmtuar pozitën e Serbisë në bisedime, por ka edhe nga ata që thonë përse nuk e bëjmë edhe ne një gjë të tillë? Të gjitha bisedimet në Bruksel synojnë që zgjidhja për Kosovën të mos reflektohet në Bosnje. E kam thënë dikur, e kam thënë dje, po e them edhe sot se kjo është e pamundur.

Presidenti serb ka ftuar presidentin amerikan të vizitoj Serbinë pasi kanë kaluar katër dekada nga vizita e fundit e tillë.

Tv Klan