Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se më 22 qershor do të mbahet seancë e Kuvendit të Serbisë, në të cilën do të “diskutohet më mirë dhe në detaje” çdo çështje që është e një rëndësie thelbësore për situatën në Kosovë.

Vuçiç në konferencën për media tha se “në Bruksel u duk sikur Prishtina dëshironte të pengonte dialogun dhe se kishte frikë se moskonstruktiviteti i Prishtinës mund të çonte në një përshkallëzim të situatës në Kosovë” dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të kujdeset që të mos ndodhin incidente që mund të kërcënojë paqen ose stabilitetin në të gjithë rajonin”.

Ai tha se ata arritën të flasin për personat e zhdukur dhe shtoi se Serbia kishte ekzaminuar 21 vende dhe se në katër prej tyre u gjetën mbetje mortore, të shqiptarëve të vrarë, kurse në lokacionin e fundit ishin gjetur 11 trupa dhe se u konstatua se ato janë eshtrat e dy shqiptarëve.

Vuçiç shtoi se Prishtina deri më tani nuk ka bërë asgjë pas disa kërkesave nga Beogradi.

“Kreu i ekipit të tyre tha se ata nuk do të lejonin gërmimet, sepse lajmi do të bënte që gërmimet të cilat kryhen, dikush mund të mendojë se shqiptarët kanë bërë krime”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se Prishtina kishte disa kërkesa dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi njohjen e Kosovës 10 herë dhe pyeti “Kur, kur, kur”, dhe se ai për këtë mori një “përgjigje të fuqishme dhe të vendosur – kurrë”.

Vuçiç tha se Prishtina kërkoi që CEFTA të mos ekzistonte më por SEFTA në të cilën ata do të “prezantonin” Republikën e Kosovës përmes “derës së vogël”, se ata gjithashtu kërkuan një deklaratë të paqes, por kjo është e mundur vetëm midis shteteve sovrane.

Ai vlerësoi se përfaqësuesit evropianë ishin shumë korrekt dhe se shpresonte që delegacioni i Prishtinës të paraqitej në raundin tjetër të dialogut dhe se ai do të ishte më konstruktiv.

Në konferencën për media, presidenti i Serbisë foli gjithashtu për ekonominë dhe vuri në dukje se Serbia është në vendin e tretë për sa i përket rritjes në Evropë, pas Estonisë dhe Luksemburgut, nëse Irlanda nuk merret parasysh për shkak të kompanive të mëdha amerikane të IT-së.

Ai shtoi se Serbia dëshiron të rrisë shkallën e rritjes në tremujorin e dytë dhe mundësisht të kapërcejë Estoninë dhe Luksemburgun.

Sipas tij, në pesë muajt e parë, hyrja e investimeve të huaja direkte ishte 1.4 miliardë euro dhe se rezervat e arit të Serbisë arrijnë në 36.3 tonë ar, duke synuar të arrijnë në 50 tonë dhe se rezervat devizore janë në nivelin më të lartë mbi 14 miliardë euro./AA