Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara, pasi nëse ndodh e kundërta do ketë surpriza të mëdha.

Vuçiç në një intervistë për mediat vendase ka thënë se Kosova nuk ka asnjë të drejtë të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, pasi ndalohet nga marrëveshjet e nënshkruara.

Ata nuk kanë asnjë ide, nuk i lexojnë marrëveshjet që nënshkruajnë. Ata nuk lejohen të aplikojnë në organizatat ndërkombëtare. Nëse aplikojnë, do t’i presin surpriza të mëdha”, tha Presidenti serb.

Por edhe pse Vuçiç kërcënoi Kosovën, ai sërish tha se nuk do donte që të kishte luftë dhe shtoi se të gjithë duhet të dinë se cilat janë rreziqet e një konflikti të ngrirë.

Një konflikt i ngrirë do të thotë të presësh që dikush të nxjerrë i pari shpatën, nuk do të doja që bijtë e mi të shkojnë në luftë. Nuk duhet të na hyjë gjaku në trurin tonë, duhet të jemi realistë, njerëzit duhet të dinë se cilat janë të gjitha rreziqet e një konflikti të ngrirë. Shqiptarët nuk janë në thelb të gatshëm për një zgjidhje kompromisi”, shtoi Aleksandër Vuçiç./tvklan.al