Për presidentin serb Aleksandar Vuçiç, dhuna që ushtroi policia e Kosovës ndaj Marko Gjuriçit ka thelluar ndarjen mes serbëve të veriut dhe Prishtinës. Vuçiç foli në një intervistë për televizionin publik RTS menjëherë pas vizitës së kryediplomates europiane Mogerini në Beograd. Presidenti serb thotë se Beogradi do ti japë tashmë ndihmë të drejtpërdrejtë Listës Serbe.

“Lista Serbe do të qëndrojë në opozitë për të luftuar për popullin e saj dhe do të marrë ndihmë nga shteti serb”.

Vuçiç nuk beson se largimi i Listës Serbe nga qeveria do të shkaktojë probleme në Kosovë.

“Nuk mendoj se qeveria e Prishtinës do të bjerë, sepse shqiptarët bashkohen kur janë në vështirësi, ndryshe nga serbët të cilët e kanë të vështirë të veprojnë si rastin e Marko Gjuriçit apo të Vuçiçit në Srebrenicë. Gjithsesi e rëndësishme është që ata të kenë një lidership të fortë që di sesi të ecë përpara duke marrë parasysh interesat e Serbisë”.

Presidenti serb garantoi megjithatë se pavarësisht dhunës që u ushtrua ndaj një ministri nga Beogradi në Kosovë, populli serb në këtë vend kurrë nuk do të bjerë pre e dhunës dhe do të punojë gjithnjë për paqen dhe stabilitetin. Për këtë Vuçiç siguroi edhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian Federika Mogerini.

Tv Klan