Presidenti serb Aleksandër Vuçiç konfirmoi pjesëmarrjen në takimin me Hashim Thaçin më 11 Nëntor në kryeqytetin francez ku ndërmjetësues këtë herë do të jetë Emmanuel Macron.

Përpara gazetarëve në Beograd, Vuçiç konfirmoi se kryetemë diskutimi do të jetë korrigjimi i kufijve.

“Termi “demarkaicon” i kufirit do të thotë që kemi kufij mes shqiptarëve dhe serbëve e që sot nuk e dimë ku janë. Pyetja ime është ku janë këta kufij, aty ku themi ne apo aty ku thonë shqiptarët? Askush në botë nuk e di saktë ku janë këta kufij.”

Vuçiç komentoi propozimin e Thaçit për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, me territorin e Kosovës.

“ Në tavolinë është e lejuar të vihet gjithçka prandaj unë po hesht. Kur dëgjoj marrëzi për Medvegjën, Bujanovcin e ku e di se çfarë, unë nuk bëj zë. Le të thonë gjithçka që mendojnë, por të shohim a do të mundemi të mbërrijmë në një marrëveshje apo jo.”

Presidenti serb kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për hipokrizi, kur i trembet propozimeve për ndryshim kufijsh. Ai vlerësoi vetëm Shtetet e Bashkuara që nuk kanë rënë pre e kësaj hipokrizie. Por kritikoi ambasadorin amerikan në Beograd, Kyle Scott i cili e tha prerë se me Kosovën, Serbia duhet të arrijë një marrëveshje siç bën me çdo shtet të pavarur.

Tv Klan