Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se është absulutisht i bindur se gjërat do të zhvillohen në drejtimin, që sipas tij ka paralajmëruar Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kur ka folur për mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

“Jam absolutisht i bindur se gjërat do të zhvillohen në këtë dejtim. Ne do të reagojmë në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme, por të ashpër dhe të vendosur“, tha Vuçiç, transmetojnë mediat serbe.

Ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Thaçi tha se po krijohen rrethana të reja, të cilat sipas tij e ofrojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si zgjidhjen më të mirë.

Por, Vuçiç tha se komuniteti ndërkombëtar e ka siguruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Para tri ditësh iu kam thënë përfaqësuesve evropianë për këtë që po më pyesni (bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë) dhe ata më kanë thënë: Aleksandar, kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk do ta lejojmë kurrë”, tha Vuçiç, por shtoi se pikërisht këto deklarata janë arsyeja përse ai beson se një gjë e tillë do të ndodhë.

Kosova, qysh në vitin 2011, është në proces të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, procesi ka ngecur në fund të vitit të kaluar, për shkak të taksës që ka vendosur Kosova ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia. /REL