Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohet në Tiranë javën e ardhshme me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Sipas mediave kosovare, që citojnë agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, Vuçiç, më 8 Maj do të udhëtojë në Romë, ku do të takohet me zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini.

Temë kryesore e diskutimit të tyre do të jetë Kosova. Pas këtij takimi, presidenti Vuçiç në mbrëmje udhëton për në Tiranë për t’u takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Si me zv/kryeministrin italian Salvinin edhe me Mogherinin, presidenti Vuçiç do të bisedojë për Kosovën. Ky takim do te zhvillohet në kuadër të procesit të samitit “Brdo-Brijuni”, i cili mbahet dy ditë radhazi në Tiranë.

Kjo do të jetë vizita e dytë e Aleksandër Vuçiç në Tiranë, por e para si president i Serbisë. Herën e parë, Vuçiç ishte në kryeqytetin shqiptar në vitin 2015, si kryeministër i Serbisë./ABC News