Optimizmi i Presidentit serb Aleksandër Vuçiç për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovës është zbehur. Në një intervistë televizive, kreu i shtetit serb thotë se çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet pavarësisht se vetë është i angazhuar për t’a arritur këtë.

“Nuk kemi mbështetje për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Çdo zgjidhje që do të na ofrohet nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme dhe për këtë arsye nuk do të marrë mbështetjen e shumicës në Serbi”.

Mungesa e një marrëveshjeje me Kosovën bllokon perspektivën europiane të të dy vendeve. Për kreun e Komisionit Europian, mungesa e perspektivës drejt unionit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të thotë rikthim në luftrat e viteve ’90″.

“Vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u japim patjetër një perspektivë të qartë. Nëse ato nuk bëhen anëtare të Bashkimit Europian rrezikojnë të rikthehen në konfliktet e viteve ’90. Mendoj që kjo është një çështje mes luftës dhe paqes”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel me Borut Pahorin, presidentin e Sllovenisë, Junkcer ishte në të njejtën linjë me kreun e shtetit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili të mërkurën paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, Ballkani rrezikon të përfshihet në një konflikt të ri.

Tv Klan