Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se një prej sfidave më të mëdha të Serbisë është arritja e një marrëveshjeje me Kosovën. Ai u shpreh gjatë një konference se nuk do të pranojë poshtërimin e qytetarëve serbë për njohjen e Kosovës.

“Obligimi ynë është që duke u përballur me sfidat më të mëdha, me presionet rreth Kosovës dhe përpjekjeve për të detyruar Serbinë që të njohë pavarësinë e saj pa marrë asgjë. Ne kemi shprehur dëshirën dhe qëllimin tonë për të biseduar dhe për të arritur një zgjidhje kompromisi. Qartësisht ne nuk do të pranojmë asnjë poshtërim të qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve tanë në Kosovë dhe Metohi”, tha Vuçiç.

Deklaratat kreu i shtetit serb i bëri gjatë një konference pasi emëroi Ana Bërnabiçin kryeministre.

Vuçiç tha se ka pasur disa kandidatë, por Bërnabiç, e cila ka qenë kryeministre e Serbisë nga viti 2017, “ka punuar në interes të qytetarëve, ka qenë besnike ndaj Serbisë dhe ka punuar për përfitimet e vendit”./tvklan.al