VucicMarrëdheniet e tensionuara mes Shqipërisë dhe Serbisë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj lojëtarëve të kombëtares dhe thirrjeve raciste të martën në Beograd, marrin një tjetër kthesë.

Teksa Kryeministri Rama deklaroi të enjten në agjencinë e lajmeve, Reuters, se nuk do ta anullonte vizitën e parashikuar në Beograd, më 22 tetor, për të mos iu përgjigjur retorikës nacionaliste është Kryeministri serb Vuçiç ai që u vë fre përgatitjeve të Ramës për këtë vizitë.

Vuçiç ka deklaruar për të njëjtën agjenci, se ende nuk ka vendosur nëse do ta presë Kryeministrin shqiptar në Beograd.

Madje ai shkon edhe më tej teksa thotë se për të marrë këtë vendim do të presë deri në fundjavë.

Aleksandar Vuçiç – Kryeministër i Serbisë: “ Ne nuk i trembemi bisedimeve, por dikush duket se nuk dëshiron të bisedojë. Kërkon të kërcënojë Serbinë dhe të përhapë desdabilitet rajonal. Unë mund të shoh atë dhe këdo tjetër në sy”.

Në intervistën për Reuters, Kryeministri serb ka dënuar sulmet ndaj 6 bizneseve në pronësi të shqiptarëve në Novi Sad dhe Vërsaç, gjatë këtyre 3 ditëve të fundit.

Policia serbe ka nisur hetimet për këto raste, ndërsa një person është arrestuar. Vuçiç premtoi se autorët do të ndëshkohen, duke i bërë thirrje serbëve të veprojnë me përgjegjshmëri.

Aleksandar Vuçiç – Kryeministër i Serbisë: “U bëj thirrje serbëve të mos veprojmë në mënyrë të papërgjegjshme. Detyrimi ynë është të tregojmë ndryshimin që kemi me ta, të tregojmë se jemi seriozë, më të përgjegjshëm dhe se respektojmë të drejtat e minorancave kombëtare si dhe të drejtat e njeriut në të gjithë vendin”.

Në këtë valë të re tensionesh në marrëdhëniet mes dy vendeve, Reuters kujton se ato arritën në pikën më të ulët në vitet ’90 si pasojë e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës të ndërmarrë nga forcat serbe, që çuan në ndërhyrjen ushtarake të NATO –s e më pas në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

Tv Klan