“Serbia, e balancuar mes Moskës dhe Brukselit”

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç akuzon Prishtinën se kërkon të imponojë planet e saj dhe jo të dialogojë. Në një intervistë për agjencinë Reuters, Vuçiç thotë se perëndimi do ta bindë Kosovën që të ndryshojë qasjen e saj.

“Unë besoj se ato vende të cilat po mbrojnë të ashtuquajturën Pavarësi të Kosovës, do ta bindin Prishtinën të mos provokojë një konflikt në rajon, i cili është plot me probleme.”

Presidenti serb u shpreh se do të ketë bisedime të tjera mes dy vendeve nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve nga BE dhe SHBA. 

Kreu i shtetit serb tha se vendi i tij po mundohet të mbajë balancat mes ambicies për të qenë vend anëtar i BE dhe lidhjeve të tij me Rusinë dhe Kinën. Vuçiç u shpreh se Serbia nuk ka zgjedhur të sanksionojë Rusinë për shkak të varësisë së saj nga energjia ruse. Ai u shpreh se populli i tij nuk ka mundësi të paguajë “faturat e luftës” edhe pse garantoi për investime të mëdha në fushën energjetike.

Tv Klan