Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiç, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.

“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiç tha se Radoiçiçi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur. Kosova ka akuzuar Radoiçiçin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 Shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.

“Millan Radojçiç kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij… në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai.

Për pjesëmarrjen e Radojçiçit, i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica, Sveçla ka publikuar edhe një video të inçizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 Shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat. Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./REL