Një ditë pas publikimit në Televizionin Klan të lajmit se shteti shqiptar nuk e mirëpret investimin e Telekom Serbia për të blerë aksionet e kompanisë T-Mobile, vjen edhe reagimi i parë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

I pyetur nga gazetarët pikërisht gjatë përurimit të një aktiviteti biznesi, kreu i shtetit serb shprehu habinë se përse një biznesi me kapital serb i mbyllet dera, edhe pse është ofertuesi më i lartë.

“Mësova nga përfaqësuesit e “Telekom Serbia”se ne kemi dhënë ofertën më të mirë, por ministri serb i telekomunikacionit thotë se Serbia nuk mund ta blejë “Telekom Albania”. Më duket se donte të thoshte se paratë tona nuk vlejnë. Nuk dua ta besoj plotësisht këtë, por do të presë raportin e plotë. Si mund të flitet për një kapital se këto janë para serbe, para hungareze apo para shqiptare”.

Të shtunën Televizioni Klan raportoi se oferta e Telekom Serbia për të blerë aksionet e kompanisë shqiptare T-Mobile është drejt dështimit, për shkak të trysnisë që kanë ushtruar institucionet shtetërore për të shkurajuar ofertën serbe, duke paralajmëruar me largimin si abonentë të Telekom.

Pothuajse të gjitha ministritë dhe krerët e tyre, pjesa më e madhe e administratës publike e deri te kryeministri i vendit, janë abonentë të kompanisë T-mobile.

E para që do të tërhiqej nga lënia e numrit me prefiksin 068, do të ishte Ministria e Mbrojtjes, e cila konsiderohet si një institucion me rëndësi të veçantë strategjike për çështjet e ndërlidhjes dhe komunikimit. Vetë Ministrja Olta Xhaçka është kliente e kompanisë Telekom.

Tërheqja e serbëve do t’i linte vendin dy ofertave kompanive bullgare, Vivacom dhe Globul Telenor, ose asaj të manjatit grek Vardi Vardinogiannis, pronar i firmës Motor Oil Hellas.

Tv Klan