Serbia nuk beson tek platforma e Kosovës lidhur me negociatat në Bruksel. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, në ditën e ushtrisë serbe, ka thënë se duhet menduar për të ardhmen e vendit pavarësisht qëndrimeve të ndryshime. Ai ka thënë se nuk ekziston një mbështetje ndërkombëtare për Serbinë dhe në 90 përqind të takimeve ndërkombëtare gjithmonë flitet për Kosovën.

“Nëse pritni mbështetje dhe mirëkuptim tek ndërkombëtarët unë dyshoj në këtë pasi ata nuk e kuptojnë pozitën tonë. Këtë e tregon edhe platforma e shqiptarëve dërguar Kuvendit”.

Zgjidhja për Kosovën është e vështirë, pasi sipas presidentit serb, nuk ka asnjë gatishmëri tek shqiptarët për kompromis.

“Nuk jam i sigurt se sa shoqëria serbe e kupton se ne kemi humbur në vitin 1999 dhe kemi pasur politika katastrofike që nga viti 2004 e deri më 2011 dhe tani po paguajmë çmimin. Nëse askush nuk guxon ta thotë, e them unë këtë. Por, kjo nuk nënkupton që dikujt i takon e tëra edhe ajo që nuk i ka takuar kurrë e ne të mos kemi as atë që ka qenë gjithmonë e jona. Unë jam gjithmonë për kompromis”.

Serbia ka ndarë 600 milionë euro për ushtrinë e saj duke e quajtur një gatishmëri për funksionalizimin e ushtrisë e gatshme për të reaguar, por një angazhim për paqe dhe stabilitet në rajon dhe jo garë armatimesh.

Tv Klan