Derisa bisedimet kanë ngecur, Presidenti serb Alleksandar Vuçiç, ka zgjedhur të vazhdojë me fushatën e “Ardhmja e Serbisë”, për të parë gjendjen brenda shtetit. Një pjesë e kanë konsideruar fushatë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, por përveç ekonomisë në qytetin kufitar me Kosovën, Rashkë, ai u ka bërë thirrje serbëve të mos i bashkohen asesi Ushtrisë së Kosovës.

“I kam lutur të gjithë serbët që të mos shkojnë në Ushtrinë e Kosovës, ta mendojnë se cilat janë nevojat e kësaj ushtrie dhe qëllimet e atyre që e kanë themeluar. Ne edhe ashtu jemi pak dhe na mungon vetëm të kemi edhe një konflikt serbo-serb”.

Ai ka thënë se Ushtria e Kosovës po bën fushatë për rekrutimin e serbëve në pjesët jugore. Serbia kundër kësaj është shprehur edhe me ndalimin në kufi të disa pjesëtarëve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Vuçiç megjithatë ka thënë se shpreson që do të gjendet një zgjidhje për Kosovën, por serbët duhet të kenë durim.

“Fuqitë e mëdha të Perëndimit e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe kjo është foshnja e tyre që ata e luajnë, tani nuk është më foshnje, por një mistrec i përkëdhelur që mund të bëj marrëzira. Por ende është foshnja e tyre dhe ata do ta mbrojnë dhe akuzojnë Serbinë sa herë të kenë mundësi. Por, ne duhet të jemi të përgjegjshëm”.

Vuçiç ka takuar edhe krerët serbë të Kosovës, me të cilët ka folur për gjendjen pas taksës duke, u premtuar se do të lobojë dhe se Serbia nuk do t’i lërë vetëm.

Tv Klan