Në zgjedhjet në Kosovë marrin pjesë gjashtë parti serbe. Me qindra votues kanë ardhur me autobusë nga territori i Serbisë në mënyrë të organizuar, kryesisht si votues të Listës Serbe, duke kaluar pa problem në pikën kufitare të Jarinjës.

Kjo është hera e parë që qytetarët në veri të Kosovës u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve, ishte tërhequr nga institucionet dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset zgjedhore.

Për herë të parë në vendvotime janë vendosur kamera, ndërsa zgjedhjet po monitorohen nga disa qindra vëzhgues nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, organizata joqeveritare vendase dhe të huaja, si dhe një numër i madh i mediave vendase dhe të huaja.

Procesi zgjedhor në Leposaviq ka filluar me vonesë në disa vendvotime, kryesisht për shkak të materialeve që nuk kanë arritur në kohë. Në Mitrovicë hapja e vendvotimeve është vonuar për shkak të problemeve me kompjuterët.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, sipas informacioneve të marra nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme lidhur me veprat penale të ndikimit në të drejtën e votës në Zubin Potok dhe në pjesën veriore të Mitrovicës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë thirrje për serbët në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe të votojnë për Listën Serbe.

Zgjedhjet po monitorohen nga mbi 100 vëzhgues ndërkombëtarë dhe do të sigurohen nga forcat e sigurisë, përfshirë më shumë se 200 ushtarë italianë të KFOR-it dhe mijëra policë të Kosovës. 

Klan News