Vuçiç: Zgjidhje paqësore me Kosovën

Daçiç: Bashkimi me Preshevën, një ëndërr

Zgjidhje paqësore mes shqiptarëve dhe serbëve kërkon presidenti serb Aleksandër Vuçiç, teksa në Prishtinë e Beograd po debatohet prej ditësh mbi idenë e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh. Gjatë një konference për shtyp në Beograd ku nuk komentoi idenë e një referendumi për bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën, presidenti serb tha se e vetmja zgjidhje është një marrëveshje që do të garantonte paqen dhe sigurinë.

“Zgjidhja e problemit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt. Serbët e shqiptarët duhet të vendosin nëse kemi nevojë për paqe apo do të vazhdojmë të vritemi për territor? Ne kemi nevojë për paqe të qëndrueshme që do të krijonte njëfarë sigurie për qytetarët tanë”.

Por kreu i shtetit serb shprehu bindjen se zgjidhje të lehtë nuk ka, ndërsa ripërsëriti kërkesën për krijimin sa më shpejt të bashkësisë së komunave serbe. Zgjidhjen e kompromisit e mbështet edhe ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç. Por në një intervistë për televizionin shtetëror serb, ai kundërshtoi kategorikisht idenë e bashkangjitjes në territorin e Kosovës, të krahinave shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

“Zgjidhja është dialogu. Deri tani nuk kemi rënë dakord për asgjë. Shihni Thaçin që kërkon t’ia bashkëngjisë Kosovës Medvegjën, Bujanovcin dhe Preshevën. Por me këtë nuk arrihet asgjë. Për këtë ne kemi shprehjen “vetëm në ëndrra”.

Daçiç shpreh mbështetjen për ndarjen e Kosovës.

“Ndarja e Kosovës është një mendim personal i imi për të cilin flas prej 10 vitesh. Nuk e kam shpikur unë, por edhe Dobrica Qosiç e Zoran Gjingjiç kanë folur po ashtu për këtë. Madje Gjingjiç ishte përfshirë në politikën e fuqive perëndimore për Kosovën, çka çoi në sulmin ndaj tij”.

Për Daçiçin, ndarja e Kosovës është mënyra e vetme që serbët të mos dalin krejtësisht të humbur nga pavarësia e Kosovës.

Tv Klan

Kategori
Lajmet KryesoreRajoniTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*