Ideja për përkufizimin apo ndarjen e Kosovës duket se nuk ka vdekur. Në Serbi, pas takimeve të Berlinit, komentet nuk kanë qenë të shumta për këtë ngjarje, përveç atyre të vetë Presidentit.

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, në një tubim partiak dhe qëndrim personal ka thënë se është e nevojshme të ketë një përkufizim pasi bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosë është apo jo për një zgjidhje. Vulin ka përdorur publikisht shprehjen “shiptari”, një term pezhorativ sidomos për shqiptarët e Kosovës.

“Unë jam që sa më parë të vendosim kufirin me shqiptarët”.

Vulin ka thënë se dikur mbase ka dyshuar në këtë ide të ndarjes, por tani është gati i sigurt se kjo është zgjidhja më e mirë për problemin e Kosovës dhe ka dhënë arsyet.

“Sa më parë që mes nesh dhe atyre të kemi një kufi të fortë do të mund të merremi me vetën dhe jo më atë që kriminelët e pagjykuar të luftës duan. Nëse dikur kam dyshuar që nuk kam të drejtë, tani kur e shoh që Gjermania, Kroacia, Shqipëria, shiptari në Kosovë, një pjesë e Bosnjës dhe Hercegovinës, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore janë kundër, kjo domethënë që është gjë e mirë për Serbinë”.

Marko Milosavljeviç, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut e sheh këtë si gjuhë urrejtje të përzier me ide politike për zgjidhjen. Një gjuhë e tillë nuk konsiderohet e drejtë.

“Kjo tregon se shqiptarët ende konsiderohen si armiq në Serbi dhe këtë e dëgjojmë nga zyrtarët pavarësisht se për shprehje të tilla ka vendime gjyqësore që konsiderohen të ndaluara. Kjo është në kontraditë me atë që flasin se janë për stabilitet dhe pajtim, që nuk qëndron”.

Tv Klan