Kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se thirrja e seancës për formimin e një qeverie të re është tentativë, edhe një hap tjetër për zhbërjen e verdiktit të sovranit. Ai tha se qeveria që po formohet është ilegale.

“Qeveria që doni ta formoni është edhe ilegale edhe ilegjitime. Është ilegale se vije pas shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës së Kosovës siç është dekreti jokushtetues për mandatimin e humbësit të zgjedhjeve për kryeministër e deri të aktgjykimi i padrejtë dhe jo kushtetues i Gjykatës Kushtetuese”, tha Selimi.

Ai tha se qeveria qe po formohet është më shumë se qeveria “Thaçi 3”.

Kjo qeveri do t’i duhet atij vetëm sa për t’i shërbyer për legjitimin e ndarjes së Kosovës dhe të përfitojë nga kjo qeveri edhe një mandat tjetër si president”, tha Selimi.

Selimi tha se Vetëvendosjes nuk i vjen keq për veten e tyre, por, siç u shpreh, ai keqardhja është se po tentohet të bëhet një qeveri qe do ta kthejë shtetin në duart e grupeve e individëve.

“Ju qëllimet i keni të cekta, por të rrezikshme, të thjeshta po të këqija”, tha Selimi mes tjerash në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës./REL