Partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, e cilëson “të pasinqertë dhe të pakuptimtë” thirrjen e partisë tjetër opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, që ato të mos marrin pjesë për një javë në punimet e kuvendit, për shkak të zhvillimeve të fundit.

Ableard Tahiri, deputet i PDK-së, i bëri thirrje sot VV-së dhe partisë, Nisma Socialdemokrate, që janë prekur nga vala e arrestimeve nga Dhomat e Specializuara në Hagë, për një javë “reflektim dhe sensibilizim për zhvillimet e fundit”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Arbërie Nagavci, i tha Radios Evropa e Lirë se një situatë e tillë është pritur prej kur vetë PDK-ja me aleatët e saj, votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale.

“Për më tepër, është e pakuptimtë që të pritet që brenda një jave të arrihet një sensibilizim apo reflektim, siç e kanë shprehur. Në këtë situatë, është e dukshme që as qeveria nuk i ka numrat”, tha Nagavci, duke përmendur dështimin e seancës të së mërkurës për shkak të mungesës së kuorumit, në të cilën megjithatë të pranishëm aty ishin edhe deputetët e VV-së.

“Kështu që jemi në një situatë shumë paradoksale, ku PDK-ja po kërkon që të mos ketë takime në kuvend për një javë, në anën tjetër, shumica nuk po arrijnë të kenë votat dhe gjëja më e mirë që duhet të bëhet në këto momente është që të bëhet legjitimimi i institucioneve, të shkojmë në zgjedhje të reja dhe të krijojmë institucione kredibile”, ka thënë mes tjerash ajo.

Zyrtarët e Nismës Socialdemokrate nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të marrin apo jo pjesë në seancat e kuvendit gjatë kësaj jave.

Më herët gjatë ditës, grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar se do të marrë pjesë në seancën ku do të votohej në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

Ndërkaq shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në një konferencë për media, ka kritikuar partneren e koalicionit, Listën Serbe, për mospjesëmarrje në seancën e 11 nëntorit.

Në valën e fundit të arrestimeve nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pos ish-presidentit Hashim Thaçi, nën akuzat për krime lufte, janë arrestuar edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, shefi i grupit parlamentar të VV-së Rexhep Selimi dhe njëri nga themeluesit e Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi./REL