Refuzon kërkesën e Thaçit për të paraqitur një kandidat të ri

Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përgjigjet kërkesës së presidentit për caktim të mandatarit të ri. Madje kjo parti deklaratat e presidentit për krijimin e qeverisë së unitetit i ka quajtur jokushtetuese dhe të pasuksesshme. Kryeministri Albin Kurti në një status në Facebook ka shkruar se presidenti duhet të mendoj për datë të zgjedhjeve para se të kërkoj emrin e kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues” ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërsa në një përgjigje me shkrim për Televizionin Klan, zëdhënësi i LVV-së Arlind Manxhuka ka thënë se janë të përkushtuar me menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

Vigan Qorrolli, analist dhe profesor i të drejtës ndërkombëtare, thotë se praktika e përdorimit të nenit 82.2 të Kushtetutës në të cilën thirret LVV-ja ka ndodhur në dy raste, në vitin 2010 pas mosbesimit të qeverisë Thaçi 1 dhe në vitin 2017 pas mosbesimit të qeverisë Mustafa. Ndërsa neni 95. 5 i Kushtetutës sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet t’i japë mandatarin prap partisë së parë në këtë rast LVV-së.

“Midis këtyre dy neneve kushtetuese z. Thaçi si president do të mund ta përdorë praktikën tashmë të etabluar kushtetuese të vitit 2010 dhe atë 2017 që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse precedent i tillë kushtetues ka ndodhur. Meqenëse është situate me COVID-19 atëherë mund të rrijë në detyrë qeveria Kurti dhe pastaj të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”.  

Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se të hënën do nisë konsultimet me partitë politike për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse në mënyrë që të mos shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme pas shkarkimit të qeverisë Kurti të mërkurën.

Tv Klan