Blinken: Mbështetje të plotë për presidentin e rrëzuar
Pavarësisht shpërbërjes dhe ndërprerjes së ndihmave nga Moska, mercenarët e Vagnerit mund të jenë përfshirë në grushtin e shtetit në Niger. Në një mesazh pa u shfaqur me fytyrë në rrjetin Telegram, kreu i Vagnerit, Jevgeni Prigozhin përshëndeti marrjen e pushtetit nga gjenerali Abdurrahman Çiani, i cili të premten rrëzoi qeverinë dhe e shpalli veten lider të vendit.
Ndërsa perëndimi shprehu mbështetjen për presidentin e rrëzuar, Mohamed Bazum, i cili mbahet rob në pallatin presidencial nga rojet e tij, nën komandën e Çianit. Madje, Sekretari Amerikan i Shtetit Entoni Blinken tha se Uashingtoni do t’i japë të gjithë mbështetjen e nevojshme atij, që të rimarrë pushtetin. Edhe Franca, ish-vendi kolonizator i Nigerit tha se nuk do të njohë gjeneralin Çiani si drejtues të ri.
Perëndimi mbështet Bazumin si të parin president të zgjedhur me votë të lirë që prej 1960-ës, ndërsa e konsideron si aleatin më të rëndësishëm kundër militantëve ekstremistë të Shtetit Islamik, përgjegjës për qindra viktima. Edhe pse nuk pranon përfshirjen e drejtpërdrejtë në këtë konflikt, njësia Vagner tregoi edhe një herë se është aktive ashtu si edhe në vende të tjera afrikane ku besohet se ka shkaktuar trazira, përfshirë Malin, Çadin apo Republikën e Afrikës Qëndrore.
Tv Klan