Shef i zhvillimit të futbollit

Arsène Wenger ka një punë të re në futboll. Pasi emri i tij u lakua si trajneri i ardhshëm i Bayern Munich, FIFA lajmëroi se francezi është emëruar shef i zhvillimit global të futbollit.

Wenger ka qënë i papunë që prej fundit të sezonit të shkuar kur u largua nga drejtimi i Arsenal, pas 23 vitesh. Spekulimet se ku do të shkonte ai nuk kanë munguar, por tashmë është e konfirmuar se ai do të jetë pjesë e organizmit që qeveris futbollin në botë. Ai do të jetë autoriteti drejtues i çështjeve teknike, si anëtar i panelit të gjerë që trajton çështjet teknike dhe futbollistike.

 “Dua të ndaj me të gjithë atë ç’ka unë kam mësuar, njohuritë që kam për lojën që unë dashuroj”, tregon Wenger.

70-vjecari që ka thënë gjithnjë që e urren të ulet në tavolinën e një zyre, mesa duket ka ndryshuar mendim, duke i dhënë fund në këtë mënyrë trajnimit të një skuadre futbolli. Tashmë do të ketë mundësinë që idetë e tij të shpërndahen tek trajnerët në gjithë botën.

Tv Klan