Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike ka ngritur alarmin në lidhje me ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike në aplikacionin WhatsApp nga persona të paautorizuar. Specialistja Suela Bonjaku tha gjatë një konference për shtyp se bëhet fjalë për një situatë serioze.

Sipas saj, përdorues të panjohur deri më tani, kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të aplikacionit WhatsApp duke regjistruar në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në WhatsApp kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim.

“Theksojmë se kjo kërkesë në WhatsApp vjen nga një person i cili ka njohje të mëparshme me viktimën dhe që ka qenë dhe ai/ajo viktimë e këtij sulmi, pra autori nis mesazh nga llogaria e një viktime tjetër”.

Policia njofton se nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori do të vazhdojë të këmbënguli, por nuk mund të realizojë asnjë veprim tjetër dhe as atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë WhatsApp.

Por marrja e llogarisë WhatsApp nuk mund të bëhet pa ndërveprimin e qytetarëve me autorin apo pa patur autori të drejta përdorimi në telefonin tuaj.

“Personat/autorët që po kryejnë këto vepra kriminale aktualisht janë duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Aktualisht, sipas të dhënave që kjo njësi disponon, personat më të prekur janë nga grupet shoqërore që përdorin aplikacionin WhatsApp dhe nisur nga skema e përdorur kemi një sulm zinxhir tek kontaktet e gati të gjitha llogarive të viktimizuara”.

Policia bën thirrje për kujdes, ndërsa qytetarëve iu kërkon që të respektojnë rregullat si më poshtë:

➢ Asnjëherë mos ndani kodin tuaj gjashtëshifror me një person tjetër;

➢ Vendosni mënyrën e verifikimit me 2 hapa;

➢ Mos ndani informacionin tuaj personal me asnjë person tjetër;

➢ Bëni kujdes nëse merrni telefonata nga biznese apo persona të panjohur;

➢ Bëni kujdes nëse një kontakt i juaji apo një person i panjohur ju kërkon kthimin e një mesazhi të gabuar apo kërkon me çdo mënyrë të kontaktojë me ju.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit thotë se po vazhdon hetimet me rastet e evidentuara në bazë të kallëzimeve të marra nga qytetarët.

Po ashtu i bëhet thirrje cilitdo që beson apo dyshon se ndodhet përpara një rasti të tillë, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit:

Adresa e postës elektronike: ​​​​[email protected]

Numri i telefonit të lëvizshëm dhe rrjete komunikimi: ​0694155552./tvklan.al