WhatsApp-i duket se është tërhequr nga plani për përdorimin e reklamave në aplikacion. Këtë e tregon raporti më i fundit i Wall Street Journal për Facebook-un, i cili zotëron edhe gjigandin e komunikimit.

“Në muajt e fundit, WhatsApp-i shkriu ekipin që kishte ngritur për të gjetur mënyrat më të mira se si të përshtaste reklamat në këtë shërbim”, thuhet në raportin e Wall Street Journal.

Vendimi për të përfshirë reklama u konfirmua nga Facebook-u në vitin 2018, por shkaktoi shumë polemika sepse themeluesit e aplikacionit, Brian Acton dhe Jan Koum, ishin kundër kësaj ideje.

Kur u lançua, WhatsApp-i ishte një aplikacion me pagesë. Përdoruesit duhet të paguanin një shumë të vogël për ta shkarkuar dhe më pas dërgimi i mesazheve ishte i lirë.

Në vitin 2013, kompania vendosi që shifra për përdorimin e shërbimit të ishte 1 dollarë. Ndërkohë në 2016-n, WhatsApp lajmëroi se do të ishte falas, duke mos i dhënë përgjigje të qartë pyetjes se si do të fitonte kompania para.

Acton-i dhe Koum-i u dorëhoqën vitin e kaluar, pas lajmeve se Facebook donte të monetizonte aplikacionin, duke shitur shërbime dhe duke futur reklamat. Acton-i tha se ishte i detyruar të largohej, për shkak se nxitimi i Marc Zuckerberg-ut për të bërë para nga aplikacioni e bënte të “palumtur”./tvklan.al