Whatsapp i ka dhënë zgjidhje një problemi që shkaktonte bezdi për këdo. Kompania ka shtuar një opsion që i ndalon të tjerët t’ju bëjnë automatikisht pjesë të grupeve të komunikimit në këtë rrjet social, nëse ju nuk pranoni. Përdoruesit tashmë do të kenë mundësinë që të zgjedhin ndërmjet tre opsioneve; asnjë, kontaktet e mia, të gjithë. Ky opsion është ende në fazën e testimit tek disa përdorues të caktuar dhe do të jetë në dispozicion në të gjithë botën gjatë javëve të ardhshme.

Aktualisht, kushdo që ka numrin tuaj mund t’ju shtojë në një grup komunikimi në WhatsApp, pa ju marrë paraprakisht leje. Por me përditësimin e fundit që pritet të jetë aktiv brenda pak javësh, do të jeni ju që do të pranoni apo refuzoni të bëheni pjesë e grupeve të përbashkëta. Kjo veçori është kërkuar shpeshherë nga përdoruesit, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë që bëhen pjesë e grupeve pa dashur. Kjo do ta ekspozonte numrin tuaj tek të gjithë personat që janë pjesë e grupit të komunikimit në WhatsApp, çka përbën shkelje të privatësisë.

/tvklan.al