“TAP një burim i ri energjie që duam ta zhvillojmë me partnerë të sigurtë”

Zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane mbërritën në Shqipëri për të nisur bisedimet me qeverinë për futjen në përdorim të teknologjisë së tyre më të fundit, e cila lidhet me shpërndarjen e gazit natyror me konteinerë, pa pasur nevojë për tubacione.

Me përfundimin e gazësjellësit TAP, Shqipëria po shihet si një vend i rëndësishëm nga Shtetet e Bashkuara për të dominuar tregun e gazit në rajon, e në këtë pikë ambasadorja e amerikane në Tiranë Yuri Kim, tha se kërkohet bashkëpunim në këtë fushë me një partner të sigurtë.

“Është një burim i ri energjie nga një partner i sigurtë, prandaj kemi ardhur në këtë takim edhe me investitorët tanë. Teknologjia jonë virtuale e shpërndarjes së gazit po e gjen rrugën në Europë dhe duhet ta gjejmë këtë rrugë në Shqipëri për të hyrë në treg, duke e bërë vendin tuaj lider në rajon në këtë fushë”.

Përfitimet nga përdorimi i kësaj tekonologjie i numëroi edhe Ndihmës Sekretari për Hidrokarburet në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Ne duam t’iu ndihmojmë për t’u zhvilluar në këtë fushë, duke qenë se jemi 3 nga vendet më të mëdha eksportuese të kësaj lënde. Teknologjia virtuale është shumë lehtë e depërtueshme, ka pak kosto sepse nuk kërkohet ndërtimi i tubacioneve, dhe i jep akses të gjithëve, konsumatorëve dhe automjeteve për t’u furnizuar”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se vendi ynë është i hapur për të përdorur këtë teknologji.

“Hapja e tregut të gazit për konsumatorët do të ndihmojë ekonominë. Ne do të reflektojmë gjetjet e studimit që kanë të bëjnë me penetrimin e gazit të lëngshëm në Shqipëri”.

Me përfundimin e gazësjellësit TAP, Shqipëria ka një pjesë të rëndësishme në furnizimin me gaz të rajonit. Deri tani agjencitë shtetërore janë duke bërë ofertat finale për blerjen e rezervave të gazit në fushat e Azerbajxhanit dhe po punojnë për projektin e ndërtimit të një tubacion për furnizimin e vendeve të Ballkanit.

Teknologjia e shpërndarjes me gaz përmes konteinerëve është një nga alternativat që po studiohet si për të furnizuar tregun vendas ashtu dhe atë rajonal. Futja në operim e TAP në fund të këtij viti heq varësinë që kishte prej dekadash nga gazi rus Europa Perëndimore.

Tv Klan