“Koha është tani që në Kosovë të implementohet plani i diplomatit finlandez Marti Ahtisari për pavarësi të mbikëqyrur”. Ky është apeli i të dërguarit amerikan për Kosovën Frank Wisner, sipas të cilat vonesat në zgjidhjen e statusit të Kosovës janë të dëmshme dhe se shpresat për kompromis mes palëve janë shuar tashmë.
Gjatë një interviste për të përditshmen “Vecernje novosti”, Wisner theksoi se nuk ekziston asnjë mënyrë që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. Konkluzioni më logjik tha ai, është pavarësia e Kosovës, një status që do të sillte stabilitet dhe qetësi në mbarë rajonin.
Parlamenti serb pak ditë më parë miratoi rezolutën kundër pavarësisë së Kosovës, që ndër të tjera kërcënonte me prishjen e marrëdhënieve diplomatike me çdo shtet që njeh Kosovën si të pavarur, por diplomati amerikan ka kujtuar që marrëdhëniet Beograd-Washington, tani kanë hyrë në vitin e 125 dhe se Shtetet e Bashkuara janë shtëpi e një komuniteti të gjerë serb. Ai garantoi se pavarësisht qëndrimeve të kundërta për pavarësinë e Kosovës, Washingtoni synon të forcojë marrëdhëniet e tij me Serbinë.
Një nga mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës është presidenti amerikan George Bush, i cili në një numër special të gazetës “Koha ditore” në Kosovë është cilësuar si garantuesi i statusit, ndërsa Marti Ahtisari si mbiemri i Kosovës. Në këtë listë personalitetesh është edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha, të cilin gazeta e cilëson si avokati i Kosovës./tvklan.al