X_FACTORËshtë çelur në një mënyrë të pazakontë sipari i mbrëmjes së 14-të të Live Shoë-t, “X Factor Albania 3”. Një kolazh këngësh, homazh në nderim të Mbretëreshës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë, erdhën të interpretuara magjishëm nga finalistët dhe prezantuesja e këtij spektakli, Alketa Vejsiu. Emocionet e forta, që këngët e të madhes Vaçe Zela sollën në sallë ngritën në këmbë publikun e teatrit të televizionit Klan dhe u shoqëruan në kor me duatrokitje të gjata.

Një mbrëmje që nisi dhe vazhdoi me ndjesi të forta ka qenë ajo e djeshmja në “X Factor Albania 3”. Katër finalistët e mbetur në garë përformuan disa nga hitet më të njohura botërore dhe shqiptare dhe ovacionet nuk munguan, sidomos tek interpretimi i finalistes italiane, e cila kishte zgjedhur për konkurrim, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, një nga këngët më brilante të ikonës së muzikës sonë, Vaçe Zela.

E ndërsa emocionet shoqëruan publikun x factorian për orë të tëra, ata që vlonin më së shumti nga ethet ishin finalistët e kësaj gare, të cilëve pas një suspanse të gjatë iu komunikua surpriza e madhe. Mbrëmjen e djeshme nuk pati eliminime dhe automatikisht Ergi, Sarah, Senadi dhe Enxhi janë gjysmëfinalet e “X Factor 3”.

Përpos zërave të magjishëm të 4 super talenteve të “X Factor” me duatrokitje të zjarrta është pritur në skenë edhe ftuara speciale, Genta Ismaili. Këngëtarja e shumë hiteve të njohura ndezi publikun shqiptar me një performacë të ngjashme me ato botërore, shoqëruar nga trupa e baletit të televizionit Klan.

Gjithashtu, mjaft interesant ishte edhe rikthimi në skenë i zërave më të mirë të prodhuar nga “X Factor 1” dhe “X Factor 2”.

Rrethi tashmë është ngushtuar dhe sfidat janë bërë më të forta. Në mbrëmjen e gjysmëfinales konkurrentët do të përballën me njëri-tjetrin të udhehequr më shumë se kurrë nga shpirti i garës dhe maksimumi i talentit të tyre.

E diela e ardhshme do të jetë edhe më adrenalizuese. Regjisorja Vera Grabocka dhe bashkëproducentja artistike, Alketa Vejsiu premtojnë befasitë e radhës për publikun shqiptar, vetëm në televizionin Klan.