Rokada në pankinat e skuadrave Europiane pritet të jetë tepër e nxehtë në këtë merkato vere. Kjo ndikuar nga lëvizjet e shumta të trajnerëve, që për shkak edhe të dështimeve u detyruan të ndërpresin në mes eksperiencat respektive.
Një prej tyre është Çavi Hernandes. Spanjolli u largua nga Barcelona një vit para fundit të kontratës, skenar që ka vënë në lëvizje Manchester United. Duke iu referuar mediave britanike “Djajtë e kuq” janë të interesuar për ta marrë spanjollin në Premier League.
44-vjeçari konsiderohet një zgjedhje intriguese, me talentin e tij në pankinë që do të sillte frymë tjetër te skuadra angleze. Ai nuk ka përvojën e Tuchel apo Pochettino, por ka fituar një titull kampion në Spanjë për të forcuar pozitat në syrin e drejtuesve të Manchester United. Përveç kësaj, te “Djajtë”, Çavi nuk do të kishte presionin e përjetuar tek Barcelona.
Për më tepër, ish-mesfushori ka operuar në kufizime të konsiderueshme financiare në Spanjë, ndryshe nga United që i lejon të bëj një merkato të fuqishme dhe me shifra stratosferike. Pikërisht kjo pikë mund ta bind spanjollin për të vendosur dhe nisur një etapë të re në Premier League.
Klan News