Ministrja e Punëve të Jashtme: Na është ofruar ndihmë nga NATO

Ka nisur puna konkrete për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike. Kështu deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka gjatë seancës plenare, nga ku shtoi se ky proces ka nisur me mbështetjen e NATO-s.

“Kanë ofruar pa diskutim gjithë gatishmërinë  e tyre për të mbështetur me ndihmë dhe masa konkrete Shqipërinë për të forcuar akoma më tej mbrojtjen e saj kibernetike dhe kapacitetet e saj në funksion të mbrojtjes kibernetike”.

Ministrja kërkoi nga kundërshtarët që rastet e sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë mos të përdoren politikisht në kushtet kur cenohet siguria kombëtare.

“Edhe kjo ngjarje po tentohet të kthehet në një çështje që po përdoret për debate politike dhe në funksion të axhendave partiake. Nuk e kuptoj këtë sjellje kur e krahasoj me reagimet solidare dhe mbështetëse që kan ardhur nga partner dhe aleatë të cilët kanë qenë të informuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në hetimin e këtij sulmi kibernetik”.

Shqipëria u godit dy herë kibernetikisht nga Irani, duke detyruar qeverinë të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet. Opozitarët kanë bërë përgjegjëse qeverinë për mos marrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e sistemeve shtetërore.

Klan News