Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka pritur këtë të enjte në një takim Ministren austriake për BE-në dhe Kushtetutën, Karoline Edstadler.

Xhaçka u shpreh se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet. Ministrja u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet. Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara. Kemi plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Radha e BE për të vlerësuar arritjet tona konkrete, duke nisur bisedimet e anëtarësimit. Rigjallërimi i perspektivës së integrimit evropian të rajonit, instrumenti më efikas për, forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Xhaçka.

Xhaçka falenderoi Austrinë për mbështetjen që ka treguar për vendin tonë pas tërmetit dhe gjatë pandemisë. Ajo tha se është pikërisht ky shtet që ka bërë të mundur shpërndarjen në vendet e Ballkanit Perëndimor të 651 mijë vaksinave.

Ministrja u shpreh se Shqipëria po ndjek diskutimet në BE për lehtësimin e kufizimeve dhe shtoi se është e nevojshme që të përfshihen edhe qytetarët e rajoni të Ballkanit. Po ashtu,  Xhaçka theksoi se janë rreth 60 kompani austriake që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë duke vënë theksin tek marrëveshjet ekonomike mes dy shteteve tona./tvklan.al