Po përgatitemi për dosjen e “detit” në Gjykatën e Drejtësisë

Ka disa prioritete edhe pse kohën e ka të kufizuar. Në të parën intervistë si ministre e Jashtme, Olta Xhaçka, flet me siguri se prioriteti numër 1 i diplomacisë shqiptare është marrja e datës për konferencën ndërqeveritare që çel zyrtarisht negociatat me BE, dhe me të njëjtën siguri pohon se ky hap do të hidhet brenda muajit Qershor.

“Mendoj që është plotësisht e mundur, madje kemi pasur disa bashkëbisedime shumë pozitive edhe me Komisionerin për zgjerimin Varhelyi, por edhe me Ministrin e Jashtëm Portugez, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit deri në 30 qershor. sipas fjalëve të tyre, sipas mbështetjes edhe konfirmimit që kemi marrë edhe nga partnerët e tjerë, pra anëtarë të BE, deri tani për të gjitha arritjet dhe kushtet e plotësuara ne presim që korniza negociuese edhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare të bëhen brenda 6-mujorit të parë të këtij viti”.

Një tjetër objektiv që është shpallur edhe nga kryeministri Rama është sigurimi i një vendi jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për 2022-2023. E pyetur nëse Rusia që ka të drejtë votë si të gjithë vendet anëtare mund ta bllokojë duke votuar kundër dhe duke u hakmarrë në këtë mënyrë për largimin e diplomatit të saj javën e shkuar, Xhaçka eviton të jap një përgjigje të drejtpërdrejt.

“Ne nuk presim që të na duartrokasin, apo të na votojnë 193 vendet që janë pjesë e Kombeve të Bashkuara, por pa diskutim mendojmë që Shqipëria e meriton dhe do të mbështetet, edhe për rolin që ajo ka luajtur edhe për kontributin që ajo ka dhënë për paqen dhe sigurinë”.

Sa i takon zgjidhjes së çështjes së hapësirës detare me Greqinë, Xhaçka zbulon se janë në fazën e përgatitjes së dosjes për t’iu drejtuar siç ranë dakord me qeverinë greke  gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë.

“Bashkë me ekspertët vendas edhe me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të të drejtës së detit, po përgatitemi për ta përfaqësuar sa më denjësisht çështjen në gjykatë Nuk mund t’ju them për momentin se kur do të jetë momenti kur do të biem dakord në fakt edhe me fqinjën,. Por di të them, që jemi në një fazë shumë intensive përgatitjeje, që përfaqësimi të jetë sa më dinjitoz kur të vijë ai moment”.

Xhaçka siguron se marrja e detyrës se presidentit te ri Joe Biden nuk do te ndryshoje marrëdhënien mes Shqipërisë dhe SHBA që do të vijoi të jetë marrëdhënia më e rëndësishme bilaterale për vendin tonë.

Tv Klan