Në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se ndihej me fat që ishte këtë detyrë “në një datë kaq të rëndësishme për diplomacinë shqiptare“, sepse sipas saj, “marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është një nga shtyllat jo vetëm të diplomacisë, por edhe të politikave të sigurisë e reformave të vendit tonë“.

Në fjalën e saj, Xhaçka zgjodhi që të përcillte disa prej fjali që tha se i kishin bërë përshtypje, nga letra e ambasadorit të parë amerikan në vendin tonë William Ryerson.

“Për fat të keq, ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, zoti Ryerson e pati të pamundur të ishte me ne. Ama isha e sigurt që një njeri që ka bërë aq shumë për Shqipërinë dhe e ka dashur atë aq shumë nuk mund të mos fliste në këtë ditë. Dje, u njoha me një letër që ai ka dërguar me rastin e 30 vjetorit. Dhe dua të lexoj disa fjali që më bënë shumë përshtypje sepse konfirmojnë atë që edhe unë vetë kam besuar gjithmonë. Katërqind vjet e pushtuar dhe gjysmë shekulli vetë-izolim duan shumë punë për t’u zhbërë. Demokracia, përfshirë edhe tonën, është gjithnjë punë në zhvillim. Por nuk pati kurrë asnjë dyshim që të dyja vendet tona ndanin të njëjtat shpresa për një Shqipëri të lirë dhe të përparuar, në paqe me fqinjët e saj. Në shumë biseda me figura politike në Tiranë, ishte e qartë se interesat e SHBA dhe Shqipëri nuk përplasen në asnjë pike”.

Këto fjalë, tha Ministrja, janë një dëshmi e qartë e aftësisë së Ryerson për të kuptuar realitetin shqiptar dhe ku qëndrojnë shqiptarët në raport me Amerikën. “Lajmi i mirë është që asgjë nuk ka ndryshuar në këtë konstatim, përkundrazi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA janë forcuar akoma më shumë“, tha Ministrja ndër të tjera./tvklan.al