Xhaçka: Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, domosdoshmëri për mbarë rajonin


Xhaçka: Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, domosdoshmëri për mbarë rajonin

19:50 25/11/2022

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është pritur në një takim në Prishtinë nga homologia e saj Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ku kanë diskutuar mbi zhvillimet dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.

Menjëherë pas takimit dy homologet kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për shtyp. Xhaçka falenderoi ministren Gërvalla për mikpritjen  që iu bë në Prishtinë. Xhaçka përgëzoi qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e arritur dy ditë më parë sa i takon çështjes së targave me Serbinë. Ndërsa shtoi se çështja më e rëndësishme për të cilën është angazhuar edhe Shqipëria, është ajo e njohjes reciproke të  Kosovës dhe Serbisë.

“Padyshim, çështja më e rëndësishme në këtë kontekst, është mbështetja e Dialogut Kosovë – Serbi dhe arritja eventuale e një marrëveshje të detyrueshme ligjore, që sjell njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve dhe i hap rrugë anëtarësimit në Kosovës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Arritja e kësaj marrëveshje është padyshim një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin”, tha Xhaçka.

Xhaçka ka deklaruar gjithashtu se Shqipëria ka ngritur zërin në mbështetje të Kosovës në çdo forum ndërkombëtar, përfshirë në Këshillin e Sigurimit, ku sipas saj kanë ngulmuar që Kosova nuk është më një çështje që duhet të përfshihet në punën e Këshillit. Ndër të tjera, ajo tha se fokusi i bashkëpunimit është edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Në bashkëpunim shumë të ngushtë, jemi gjithashtu të angazhuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe në kuadër të Këshillit të Evropës, është në të drejtën tonë të kërkojmë që zëri dhe shqetësimi ynë lidhur me akuzat e pretenduara në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 për trafik organesh, të merren në konsideratë seriozisht nga Asambleja Parlamentare dhe është në nderin e Asamblesë Parlamentare që të vërë në vend këtë padrejtësi, pas hetimeve të thelluara ku nuk u provua dhe nuk përmendet në asnjë rresht trafiku i organeve”, tha Xhaçka.

Dy palët kanë diskutuar për koordinimin në kuadër të diplomacisë ekonomike, heqjen e kontrolleve kufitare gjatë fundjavave në kufirin Shqipëri-Kosovë po  ashtu edhe për operimi i zyrës doganore të Kosovës në portin e Durrësit./tvklan.al









Të ngjashme